Takimet e presidentit turk Erdoğan në Samitin G20

Presidenti i Turqisë, Erdoğan gjatë Samitit të Liderëve G20 në Argjentinë, zhvilloi takime me 8 presidentë e kryeministra, në mesin e të cilëve edhe krerët e shteteve si Rusia, SHBA e Kina

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan gjatë Samitit të Liderëve G20 të mbajtur në kryeqytetin e Argjentinës, Buenos Aires, ka zhvilluar takime me 8 presidentë e kryeministra, në mesin e të cilëve edhe krerët e shteteve si Rusia, SHBA-të e Kina, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ditën e parë të Samitit të Liderëve, Erdoğan mori pjesë në fotografimin familjar, ndërsa më pas në seancën speciale me temën “Një të Ardhme të Drejtë dhe të Qëndrueshme”.

Para kësaj seance, Erdoğan zhvilloi një bisedë të shkurtër me presidentin e SHBA-ve Donald Trump, ndërsa pas seancës filloi takimet dypalëshe.

Në këtë drejtim, Erdoğan së pari priti në takim kryeministrin e Holandës, Mark Rutte. Takimi zgjati rreth 50 minuta.

Erdoğan pas pritjes në takim me Rutte, zhvilloi një takim me presidentin e Kinës, Xi Jinping, i cili zgjati rreth gjysmë ore. Në ditën e parë të samitit, Erdoğan së fundmi zhvilloi një takim 35 minutësh me presidentin e Kilit, Sebastian Pinera.

Në ditën e dytë të samitit, Erdoğan priti në takim kryeministrin e Japonisë, Shinzo Abe. Takimi zgjati 40 minuta.

Takimi i 8-të këtë vit me presidentin rus Putin

Presidenti Erdoğan në kuadër të samitit zhvilloi një takim edhe me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Të dy liderët të cilët këtë vit ishin takuar 7 herë, me këtë zhvilluan takimin e tyre të 8-të. Erdoğan dhe Putin gjatë këtij viti po ashtu zhvilluan një numër të madh të bisedave telefonike.

Pas takimit me Putin, Erdoğan zhvilloi një takim gjysmë orësh me presidentin e Argjentinës, Maurico Macri, shtet i cili është nikoqir i këtij samiti.

Erdoğan zhvilloi një takim edhe me presidentin e SHBA-ve, Donald Trump, me të cilin në ditën e parë të samitit zhvilluar një bisedë të shkurtër. Takimi zgjati rreth 50 minuta.

Ai po ashtu priti në takim kryeministren e Britanisë së Madhe, Teresa May. Ky takim, i cili ishte takimi i fundit dypalësh i presidentit Erdoğan në kuadër të Samitit G20 zgjati rreth 40 minuta.