Superiorja pa transmetues, kreu i FSHF tregon çfarë do ndodhë

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka dhënë së fundmi një intervistë për fshf.org, ku ka analizuar disa tema mjaft të rëndësishme, duke nisur me Kombëtaren A, ekipin Shpresa, ekipet kombëtare të moshave, kampionatin ‘Abissnet Superiore’ dhe Kategoria e Parë, kampionati i moshave, projekti ‘100 Fushat’ dhe projekti ‘Uniforma Ime’, e drejta televizive dhe planet e së ardhmes.

Duka ka folur edhe për të drejtat televizive, ndërsa FSHF pak ditë më parë i hoqi të drejtën “Oversport”.

Nëse tregu nuk ofron ofertën e pritshme nga futbolli, FSHF ka planin B për zbatimin e transmetimit të ndeshjeve. Duka nuk ka lënë pa përmendur edhe ecurinë jo të mirë për ndërtimin e “100 fushave”.

“Kemi ndërprerë kontratën me “broadcaster”-in që kishim për transmetimin e kampionatit shqiptar, për mos respektim të kushteve të kontratës. Kemi qenë të detyruar për të filluar një proces të ri, proces i cili konsiston në ofrimin në treg të të drejtave televizive, tashmë të lira, pa asnjë detyrim me partner tjetër. Do të shohim se çfarë do të ofrojë tregu, çfarë do të ofrojnë televizionet. Stafi i FSHF ka përgatitur mënyrën se si do t’i ofrohet tregut, diferencimin e paketave të ndryshme, qoftë për të pasur të drejtën e golave në vete, të drejtën e transmetimit, ekskluziv, jo ekskluziv. Të gjitha këto bëhen për të arritur në një pritshmëri financiare që ne kemi, ose në shifrën që ne kemi objektivat apo kishim vitin e kaluar për klubet. Nëse tregu nuk do të ofrojë këtë, padyshim kemi edhe një plan të dytë. Gjithsesi duam t’i ofrojmë në mënyrë kualitative shikuesve, por edhe klubeve financat e pritshme brenda pritshmërive. Ka një ndryshim, kemi ndryshuar prodhuesin teknik të ndeshjeve, për të pasur një produkt sa më të mirë, sa më të kënaqshëm për spektatorët në ekran”, është shprehur Duka.