Supergoli i Nainggolan nuk mjafton, CR7 prish festën e Interit

Inter i bukur por “perla” e Nainggolan nuk mjafton, Ronaldo shpëton Juventus nga humbja!

Dëshira, grinta, loja e bukur por edhe dominimi në pjesën e parë nuk i mjaftuan Interin për të mposhtur Juventusin. Përfundoi në barazim 1-1 derbi i Italisë me zikaltrit që morën një pikë të vlefshme në garën për një vend në Champions por mund të kishin marrë edhe 3 në këtë duel nëse nuk do të ishte për Cristiano Ronaldo që shpiku një gol nga hiçi për t’i evituar humbjen bardhezinjëve.

Në San Siro në një stadium të tejmbushur, sfida nisi me një koregrafi fantastike të tifozëve zikaltër të cilët thumbonin Juventusin për eliminimin nga Champions League. Entuziazmit të tifozëve në tribuna iu përgjigjën lojtarët në fushë pasi në minutën e 7-të Radja Nainggolan realizoi një gol magjepsës nga ata që vetëm ai di t’i dhurojë duke u kujtuar të gjithëve kohët e Romës.Foto 2

Por Interi nuk e ndali hovin te perla e Nainggolan, pasi iu afrua golit të dytë në 3 raste në pjesën e parë, dy herë me Icardin që fillimisht u ndal nga një super Sczesnzy dhe më pas nga Matuidi por De Vrij goditja e të cilit me kokë mori gjithashtu kundërpërgjigjen e portierit polak.

Në pjesën e parë CR7-ta ishte totalisht në hije dhe shkëndijën e vetme bardhezinjtë e dhanë me Bernardeschin që me një goditje nga larg për pak sa nuk qethi traveresën e portës së Handanovic. Pjesa e dytë nisi me një tjetër Juve në fushë më të vendosur dhe me dëshirën për të mos u larguar pa pikë nga San Siro. Gjithsesi rastin e parë e pati Interi me Perisic pas një skeme me Brozovic por goditja nga larg e këtij të fundit preku rrjetën e jashtme.Foto 17

Atë që se bëri dot Perisic e realizoi Ronaldo që pasi u ndal nga një devijim i De Vrij në rrugën e tij drejt rrjetës, gjeti golin në të 62-ën pas me një goditje kirurgjikale pas një kombinimi të bukur me Pjanic. Ky ishte goli i 20-të në Serie A për Ronaldo që u rikthye në garë për Këpucën e Artë por edhe i 600-ti në karrierë në nivel klubesh. Pjesa e mbetur prodhoi raste të tjera por jo gola, rastin më të pastër e kishte Perisic në të 70-ën pas një kombinimi spektakolar me Icardin, por kroati goditi keq para portës.

Në fund Juvja mund ta kishte ndëshkuar Interin pasi te zikaltrit u ndje shumë lodhja, por bardhezinjëve u mungoi saktësia përpara portës, ndërkohë që Handanovic ishte vigjilent në çdo rast. Përfundoi 1-1 derbi i Italisë me Interin që u ngjit në kuotën e 62 pikëve dhe Juventusin që kryeson bindshëm me 88 të tilla.

https://streamable.com/xfhnv