Suleyman Soylu: Turqia ka kapur anëtarin e lartë të DEASH-it

Soylu tha se Yusuf Huba është kërkuar për kryerjen e 20 sulmeve në vende të ndryshme, si dhe për organizimin dhe trajnimin global të DEASH-it për sulme vetëvrasëse

Ministri i Punëve të Brendshme i Turqisë, Süleyman Soylu, ka bërë të ditur se forcat turke të sigurisë kanë kapur një anëtar të lartë të grupit terrorist DEASH në Azaz të Sirisë veriore, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur për të përditshmen turke Hurriyet, Soylu tha se Yusuf Huba me emrin e koduar Abu Jihadeddin Nasser al Ubaydi, është kërkuar për kryerjen e 20 sulmeve në vende të ndryshme, si dhe për organizimin dhe trajnimin global të DEASH-it për sulme vetëvrasëse.

“Ai ka trajnuar aktivistë të DEASH-it në të gjithë botën përmes internetit dhe trajnimit ushtarak ballë për ballë, për përgatitjen e automjeteve me bomba dhe vrasjeve përmes helmimit”, tha Soylu.

Ai shtoi se marrja në pyetje e Huba-s ishte në vazhdim e sipër në një zonë të Sirisë nën kontrollin e grupeve të mbështetura nga Turqia.

Që nga viti 2016, Turqia ka kryer tre operacione të suksesshme në Sirinë veriore kundër YPG/PKK-së terroriste dhe DEASH-it, respektivisht operacionin Mburoja e Eufratit, operacionin Dega e Ullirit dhe operacionin Burimi i Paqes.

Që nga njohja e DEASH-it si grup terrorist në vitin 2013, Turqia është sulmuar shumë herë nga terroristët e DEASH-it, ku kanë humbur jetën 315 persona dhe u plagosën qindra të tjerë.

Në përgjigje të sulmeve, Turqia filloi operacione kundër-terroriste brenda dhe jashtë vendit, duke neutralizuar 3.500 terroristë të DEASH-it dhe duke arrestuar 5.500 prej tyre.