Studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Tiranës janë mbledhur para gjimnazit “Petro Nini Luarasi”, ku brenda pak minutash do të nisin programin mësimor që duhej ta zhvillonin në universitet, por ky i fundit është bllokuar prej studentëve bojkotues.
Në dispozicion të tyre janë vendosur 38 klasa të këtij gjimnazi, e ata do të zhvillojnë mësim nga ora 14 deri në 20 të mbrëmjes.
Vendimi u mor pasditen e së martës, pas garancisë që dha dekani i Fakultetit të Drejtësisë, Artan Hoxha, se ishte e sigurtë që ditën e mërkurë do të niste procesi mësimor.
“Ajo që u kam thënë edhe studentëve është që ne presim nga Ministria mundësitë e vendeve për të bërë mësim duke filluar nga nesër”, tha Artan Hoxha një ditë më parë.
Megjithatë, edhe te gjimnazi “Petro Nini Luarasi” janë parë drynë e zinxhirë nëpër dyer, në përpjekjen e të ngujuarve për të bllokuar edhe atje zhvillimin e procesit mësimor./TCh