Stoltenberg pritet me ceremoni zyrtare në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut

Stoltenberg dhe delegacioni shoqërues u pritën nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dhe delegacioni qeveritar

Para Qeverisë së Maqedonisë së Veriut u organizua pritje solemne me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake me rastin e vizitës së Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, raporton Agjencisë Anadolu (AA).

Stoltenberg dhe delegacioni shoqërues u pritën nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dhe delegacioni qeveritar.

Pas ceremonisë zyrtare, zyrtarët kaluan në hapësirat e Qeverisë, ku po zhvillohet një takim kokë më kokë me kryeministrin Zaev, i cili do të pasohet nga një takim i Këshillit Veriatlantik me Komitetin për Integrimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO.

Pas takimeve është paralajmëruar konferencë e përbashkët për shtyp nga Stoltenberg dhe Zaev.

Gjithashtu, shefi i NATO-s do të takohet edhe me presidentin e vendit, Stevo Pendarovski.

Stoltenberg dje realizoi vizitë zyrtare në Shqipëri, prej ku mbërriti në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit bashkë me ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s, gjegjësisht Këshillit Veriatlantik.

Pas arritjes në vend, në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut u organizua pritje solemne për nder të tyre, në të cilën morën pjesë kryeparlamentari Talat Xhaferi, delegacioni qeveritar i kryesuar nga kryeministri Zoran Zaev, si dhe diplomatë të vendeve të ndryshme.

Këshilli Veriatlanik është trupi kryesor politik që sjell vendime në NATO. Këshilli i mbikëqyr politikat dhe proceset ushtarake në lidhje me çështjen e sigurisë që ndikojnë në Aleancë. Atë e përbëjnë përfaqësues të të gjitha vendeve, ndërsa kryesues është Sekretari i Përgjithshëm.

Kjo është vizita e parë e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s dhe Këshillit Veriatlantik në Shkup pas nënshkrimit të protokollit për anëtarësimin e vendit në Aleancë.

Kujtojmë se Stoltenberg kishte vizituar Maqedoninë e Veriut edhe në shtator të vitit të kaluar pas referendumit për ndryshimin e emrit të shtetit si pjesë e Marrëveshjes së Prespës me Greqinë, dhe kishte porositur se vendi ka një mundësi historike për t’u bërë anëtare e NATO-s.