Steinmeier: Ia vlen të luftohet për Evropë të bashkuar

Në mbarë Bashkimin Evropian sot mbahen zgjedhje për përbërjen e re të Parlamentit Evropian, ndërsa presidenti Steinmeier votoi në vendvotimin në Berlin

Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, tha sot se ia vlen të luftohet për një Evropë të bashkuar dhe në këtë kontekst të votohet në zgjedhjet parlamentare evropiane, raporton Anadolu Agency (AA).

Në mbarë Bashkimin Evropian sot mbahen zgjedhje për përbërjen e re të Parlamentit Evropian, ndërsa presidenti Steinmeier votoi në vendvotimin në Berlin.

Steinmeier votoi në shoqërim të bashkëshortes së tij, Elka Budenbender, ndërsa pastaj u tha gazetarëve se është i lumtur se Gjermania është një vend demokratik dhe pjesë e Evropës së bashkuar.

“Kjo është arsyeja pse ia vlen të luftojmë dhe të shkojmë në votime, shpresoj që votuesit do të përgjigjen në numër të madh”, tha Steinmeier.

Kancelarja gjermane Angela Merkel më herët votoi me postë.

Të drejtë vote në zgjedhjet për Parlamentin Evropian kanë 74.7 milionë votues në Gjermani, e cila jep gjithsej 96 deputetë.