Stamboll, përfundon samiti katërpalësh për Sirinë

Samiti i mbajtur në Rezidencën Vahdettin në Stamboll që kishte për qëllim konsolidimin e armëpushimit në Idlib dhe gjetjen e një zgjidhjeje politike për krizën në Siri, zgjati dy orë e 45 minuta

Përfundoi samiti katërpalësh në lidhje me Sirinë në Stamboll në mikpritje të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Еrdoğan, në të cilin morën pjesë edhe liderët e Gjermanisë, Francës dhe Rusisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Samiti i mbajtur në Rezidencën Vahdettin në Stamboll që kishte për qëllim konsolidimin e armëpushimit në Idlib dhe gjetjen e një zgjidhjeje politike për krizën në Siri, zgjati dy orë e 45 minuta.

Еrdoğan, së bashku me kancelaren gjermane Angela Merkel, presidentin francez Emmanuel Macron dhe presidentin rus Vladimir Putin, diskutuan për zhvillimet në terren, situatën në Idlib pas marrëveshjes së Soçit dhe zgjidhjen politike në kuadër të platformave të Astanas dhe Gjenevës.

Pjesëmarrës në këtë takim ishte edhe përfaqësuesi special i Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Staffan de Mistura.

Për herë të parë samiti tuboi përfaqësuesit e platformës së Astanas dhe ata të “grupit të vogël” të themeluar në Gjenevë nga de Mistura.

Në delegacionin e Turqisë bënë pjesë edhe ministri i Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu, ministri i Financave Berat Albayrak, ministri i Mbrojtjes Hulusi Akar, në atë të Rusisë ministri i Jashtëm Sergey Lavrov dhe ministri i Mbrojtjes Sergey Shoygu, ndërsa në delegacionet e Gjermanisë të pranishëm ishin përfaqësues dhe këshilltarë specialë.

Pas samitit, liderët do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media.

Ndryshe, pas një propozimi të presidentit Erdoğan, ai së bashku me homologun rus Vladimir Putin kishin rënë dakord më 17 shtator në Soçi për një sërë masash shtesë për ta ruajtur armëpushimin në Idlib.

Erdoğan dhe Putin u dakorduan që deri më 15 tetor të formohet një zonë e çmilitarizuar me një linjë prej 15-20 kilometrash, e cila do të kontrollohet nga ushtarët turq dhe rusë.

Gjatë procesit, Turqia ka kontribuuar në balancimin e rolit të shteteve të Bashkimit Evropian, atij të Rusisë dhe Iranit për gjetjen e një zgjidhjeje për krizën në Siri.