Spasovski: Maqedonia e Veriut është anëtarja e 30-të e NATO-s

Duke vënë theksin mbi situatën serioze me koronavirusin COVID-19, kryeministri Spasovski tha se kjo nuk do t'i ndalojë proceset e rëndësishme që janë qëllime strategjike të Maqedonisë së Veriut

Kryeministri i qeverisë teknike të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, i shoqëruar nga zv/kryeministrja dhe ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska; zv/kryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, dhe nga ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, mbajtën një konferencë për media me rastin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke vënë theksin mbi situatën serioze me koronavirusin COVID-19, kryeministri Spasovski tha se kjo nuk do t’i ndalojë proceset e rëndësishme që janë qëllime strategjike të Maqedonisë së Veriut.

“Të gjithë partnerët dhe aleatët tanë, të gjithë 29 vendet anëtare të NATO-s, edhe formalisht e kanë pranuar Republikën e Maqedonisë së Veriut si vend anëtar i 30-të. Mbrëmë Senati i Mbretërisë së Spanjës, vetëm për këtë shkak, për herë të parë në historinë e tij votoi në mënyrë elektronike me video-konferencë dhe ratifikoi Protokollin për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në NATO”, tha Spasovski.

Ai tha se krahas situatës së vështirë me koronavirusin, ky akt meriton urata dhe mirënjohje për të gjithë burrështetasit që nga pavarësimi i vendit.

Spasovski tha se dokumenti spanjoll i ratifikimit do të dorëzohet në Departamentin e Shtetit në SHBA, pas çka edhe Maqedonia e Veriut do të deponojë dokumentin e ratifikuar, me çka zyrtarisht “do të vuloset anëtarësimi ynë i plotë në aleancën e NATO-s”.

“Republika e Maqedonisë së Veriut është anëtarja e 30-të e NATO-s. Të nderuar qytetarë të Maqedonisë së Veriut, sot me plot të drejtë mund të jeni krenarë”, tha ai.

Zv/kryeministrja Shekerinska në fjalën e saj uroi edhe pjesëtarët e ushtrisë së vendit, ndërsa theksoi se për t’u bërë anëtare e 30-të e aleancës së NATO-s, Maqedonia e Veriut ka ndërmarrë vendime shumë të rënda.

Zv/kryeministri Osmani tha se përpos anëtarësimit në NATO, Maqedonia e Veriut ndodhet para vendimit për fillim të bisedimeve me BE-në, që sipas tij, do të vendosë themelet e një të ardhmeje të qëndrueshme dhe të parashikueshme.

Ministri Dimitrov theksoi se procesi i ratifikimit që filloi me Greqinë dhe përfundoi me Spanjën, nënkupton siguri, stabilitet dhe prosperitet më të madh për vendin dhe qytetarët.