Spanja dhe Portugalia rrezikojnë por në fund kualifikohen

Ankth dhe emocione në grupin B, kalojnë Spanja e Portugalia

U mbyllën sot edhe ndeshjet e grupit B, që pavarësisht emocioneve dhe ankthit, në fund panë Portugalinë dhe Spanjën të avancojnë më tej, në fazën e 1/8-ave.

Mbrëmjen e sotme vëmendja ishte përqendruar te ndeshja mes Portugalisë dhe Iranit, një sfidë direkte për të përcaktuar skuadrën që do të vijonte më tej.

Portugalia ka barazuar 1-1 ndaj Iranit duke humbur kështu vendin e parë në minutat shtesë të ndeshjes. Teksa të gjithë po mendonin se Portugalia do të fitonte duelin në distancë me Spanjën, një gol i iranianëve nga pika e bardhë e penalltisë, dhe goli i Iago Aspas ndaj Marokut ka kthyer gjithçka brenda dy minutave.

Në Sfidën tjetër të grupit, Spanja vuajti pafund ndaj Marokut dhe pa veten dy herë në disavantazh, por arriti të marrë një barazim 2-2, falë golave të Iscos dhe Aspas-it. Tani kreu i Grupit i mbetet Spanjës, me 5 pikë, po aq sa Portugalia, por skuadra e Hierros ka shënuar një gol më shumë se portugezët.