SPAK të hetojë 21 Janarin dhe Gërdecin, thotë Rama

Kryeministri Rama vijon të bëjë thirrje ndaj SPAK-ut, duke i kërkuar të hetojë ngjarje si 21 Janari dhe Gërdeci.

Gjatë një konference të përbashkët me Ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja, Rama tha se këto hetime i kërkon jo për arsye personale apo politike, por për drejtësinë ku thotë se qeveria e tij ka bërë investimin më të madh.

“Nuk e kërkoj hetimin nga SPAK për çështje personale dhe karrierës politike, por lidhte me investimin më të madh politik dhe moral që është bërë në këtë vend që është reforma në drejtësi, dhe drejtësia”, tha Rama.

“E kemi vënë ne gurin e themelit të drejtësisë dhe nuk mund ta mbulojë rëra e të kaluarës me tendenca regresive”, shtoi ai.

Meqenëse thirrjet e tij ndaj SPAK-ut janë interpretuar si sulm, apo presion, Rama tha: “Çfarë presioni është të kërkosh hetimin e një ish-presidenti dhe një ish-kryeministri të shpallur non grata nga SHBA, me akuzat më të rënda të mundshme që lidhen drejpërdrejtë me veprimtarinë e institucioneve të këtij vendi. Nuk kam kërkuar dënim por hetim. Të hetohet 21 janari dhe Gërdeci”.