Sot e djathta nuk ka fuqi ta rishpikë vetveten

Ajo çka ndodhi me zgjedhjet e pjesshme vendore të datës 6 Mars, ku vetëm gjashtë bashki iu nënshtruan zgjedhjeve për shkak të arsyeve të ndryshme politike dhe natyrore, ishte një ngjarje thellëisht politike dhe shumë pak administrative. Të gjithë e dinim se kjo garë, edhe pse e pjesshme, nuk kishte të bënte me matjen e forcave të opozitës me pushtetin, por kishte të bënte me një fotografim real të gjendjes brënda dy grupeve politike  të opozitës. Këto nuk ishin zgjedhje lokale për të zgjidhur problematika lokale, por ishin zgjedhje për të marrë një kampionaturë faktike politike në terren, nga ku do të mund të ndërtohej narrativa e ardhshme e opozitës e dalë nga përceptimi dhe të bazuar në fakte tashmë. Pjesmarrja e ulet diku tek 30% tregoi një mosbesim të theksuar të votuesve kryesisht të djathtë, të cilët këto zgjedhje i kishin përceptuar jo si një përzgjedhje mes ofertash politike, por si një zgjatim i konfliktit brënda Partisë Demoraktike.

 Ajo që të habit akoma më tepër, është se si konflikti brënda të djathtës ka lënë mbresa kaq negative sa as skandali i inceneratorëve nuk arriti të kishte efekt në votën politike të 6 Marsit. Humbja spektakolare e z. Basha në këto zgjedhje rindezi narrativën e Foltores për të rikapur PD-në tashmë me një fare legjitimiteti të çertifikuar dhe ku për herë të parë kemi një palë zgjedhje ku nuk kontestohet proçesi. I bie që këto të jenë zgjedhjet më të ndershme që kemi pasur, jo për shkak të dashamirësisë së opozitës, por për shkak se e djathta ishte e fokusuar për të treguar se cila pakicë brënda PD-së do të dilte fitimtare dhe për këtë do të duhej një proçes i pranuar nga palët.

 Zgjedhjet treguan se nga Partia Demokratike nuk kishte palë fituese, kishte vetëm dy minoranca prej të cilave njëra, “Shtëpia e Lirisë ” mori 31% në krahasim, me PD-në që mori 13.7% . Ndërsa Partia Socialiste arriti rekordin e saj prej 55.1%. Rezultati i 6 Marsit tregoi se e djathta ka marrë gjysmën e votave të saja të 25 Prillit. Edhe pse PD doli forcë e dytë në Rrogozhinë dhe e barabarte me grupimin e Foltores në Dibër, përsëri nuk e zhbën humbjen katastrofike të saj. Ndërsa  Grupimi nën Berishën arrti një fitore brënda humbjes. Vërtet doli mbi PD-në e Bashës por nuk arriti të dilte mbi elektoratin e djathtë i cili e braktisi masivisht atë. Po ti heqësh “Shtëpisë së Lirisë” votat e LSI, ajo reduktohet në 24% e cila jo vetëm që nuk largon dot Ramën, por as nuk mjafton për të justifikuar entuziazmin e fitores së grupit të Rithemelimit.

 Në fund të gjithë kësaj historie kemi dy humbës të cilët jane Basha dhe Berisha. Basha sepse deklaronte se kishte 95% të demokratëve dhe Berisha i cili kishte premtuar se do të fitonte të gjitha bashkitë dhe se grupimi i tij si uragan do të rrëzonte regjimin e Ramës. As njëra dhe as tjetra nuk ishin të vërteta, prandaj këto zgjedhje, jo vetëm që i hoqën opozitës autoritetin për të bërë opozitë, por edhe deligjitimuan dy shkaktarët e konfliktit brënda PD-së. Për pasojë edhe largimi i të dyve filloi të kthehet i pashmangshëm brënda këtij realiteti të ri politik të pas 6 Marsit.

 Pas një periudhe reflektimi Lulzim Basha dha dorëheqjen nga kryetar i Partisë Demokratike duke e shtyrë lojën politike drejt një stadi të ri tashmë. Dorëheqja e tij ishte i vetmi mjet jo vetëm i nevojshëm por edhe i arsyeshëm, pasi ai ezauroi të gjitha mekanizmat politikë në dispozicion të tij. Qëndrimi nuk kishte asnjë farë kuptimi tashmë. Ikja e tij e la Berishën pa një narrativë politike me të cilin ai do të duhej të shtynte luftën politike brënda PD-së. Nëse gjatë këtyre muajve përfshirë edhe fushatën zgjedhore, artikulimi i tij ishte përqëndruar vetëm në sulmin ndaj Bashës, tashmë me largimin e tij, i gjithë ky arsenal berishist del jashtë loje për shkak se objektivi i vjetër nuk ekziston tashmë.

 Jo vetëm kaq, por praktika e qarkullimit të lidershipit nga ana e PD-së, që filloi me dorëheqjen e Bashës, tregon për një PD- e cila tenton të jetë më fleksibël dhe më e adaptueshmë ndaj sfidave të reja duke dhënë modelin e një force e cila nuk bazohet në kultin e individit. Ndërsa në krahun tjetër, grupimi i Rithemelimit ka ngecuar tashmë i vetëm nën hijen e Berishës dhe të kultit të tij dhe duket se është i paaftë të fillojë një revoltë kunder liderit ashtu sic bëri grupi parlamentar kundra Bashës. Revoltë për arsyet elektorale  që përmendem më sipër por edhe për faktin se një grupim i udhëheëqur nga një lider që ka problem me ndërkombëtarët nuk përbën një ardhmëri të sigurtë politike.

 Ajo që duket si e sigurtë është një refuzim i Berishës për t’u larguar dhe për të hapur siparin e një bashkimi mes dy llokmave të mëdha të PD-së. Ekzistenca e Sali Berishës në grupimin e tij vetëm sa e largon PD- në e vjetër nga bashkimi drejt krijimit të një profili të ri politik të saj. Vetëm nëse Berisha do të largohej, atëhere do të hapej rruga që e djathta të bashkohej por edhe numri i madh i demokratëve që bojkotuan këto zgjedhje për shkak se nuk i donin të dy, të mund të kthehej përsëri. Thonë se vota e zgjidh këtë punë. Po cila votë? Kur kanë bërë partitë shqiptare ndonjëherë zgjedhje të lira? Votime si ato që deklaroi z. Paloka që manipulova zgjedhjet për të fituar Basha? Pastaj, të mos harrojmë se në themel të gjithë këtij konflikti qëndron vota.  A nuk ishte vota e manipuluar e cila mbante ne krye te partise lidere te dobët si Basha. A nuk ishin zgjedhjet e shkatërruara të cilët krijonin proçese për të zgjedhur kryetarëe partish alla Maqo Lakrori? Ky konflikt zanafilloi pikërisht për shkak të abuzimt me votën dhe tani thuhet se vetëm vota e zgjidh këtë punë. Për këtë arsye në situatën që Partia Demokratike ndodhet tani, është vetëm një person që e ka në dorë ta mbajë të përçarë ose jo atë, dhe ky është Sali Berisha.

 E djathta në situanë aktuale që ndodhet, nuk ka fuqi që ta rishpikë vetveten. Retorika e Foltores tregon se jo vetëm që ata nuk duan të ndryshojnë, por që janë larg një bashkimi të sinqertë. Nëse vazhdon në këtë formë proçesi i ringritjes dhe bashkimit të Partisë Demokratike duket se do jetë një proçes i gjatë.