Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se 11 dhjetori është një ditë e jashtëzakonshme në historinë e demokracisë shqiptare.
“E jashtëzakonshme dita në historinë e demokracisë shqiptare e kjo shënon një nga ngjarjet më të madha. Kjo shënon mrekullinë e dytë më të madhe në historinë e lirisë së këtij kombi, revolucion triumfi, e revolucionit paqësor në momentet më dramatike të vendit”, u shpreh ish-kryeministri.
Teksa doli nga banesa e tij, Berisha nënvizoi se asgjë nuk pengon burrat dhe gratë apo të rinjtë shqiptarë për të rithemeluar PD-në.
“Asnjë nuk pengoi dhe nuk pengon djem dhe vajza, burrat dhe gratë e lirisë për t’ju bashkuar sot në rithemelimin PD-së dhe pluralizmit politik shqiptar. Mesazh më i bukur, më i madh, më i fuqishëm që ata i dërgojë sot shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, në diasporë”, tha ai.
Berisha tha më tej se Basha është një i pakallur.
“Besoj se ai është prej kohësh një i pakallur, por kuvendi merr vendimet e veta. Mesazhet janë histori turpi dhe morrën përgjigje më të shkëlqyer nga demokratët, nga më të lirët e shqiptarëve”, u shpreh ai.