Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç takohen sot në Bruksel për të diskutuar zbatimin e marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Qeveria e Kosovës njoftoi se numri dy i ekzekutivit udhëtoi të hënën drejt kryeqytetit belg “ku do të marrë pjesë në takimet e radhës në kuadër të procesit të dialogut”.
Takimi mes kryenegociatorëve mbahet në një kohë kur tensione të reja janë shfaqur në veri të Kosovës, pas djegies së disa veturave të qytetarëve serbë që mbanin targa me inicialet e Kosovës, (RKS). Një person u arrestua si i dyshuar për djegien e makinave e për vepra të tjera penale, përfshirë pjesëmarrje në një sulm ndaj një njësie të Policisë së Kosovës. Arrestimi nxiti reagimin e Listës Srpska, e cila tha se “Prishtina zyrtare po keqtrajton popullin serb në veri, të cilët do të reagojnë me zemërim”.
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçic përfitoi për t’iu dhënë situatës një tjetër ngjyrim duke deklaruar se “përmes arrestimit të serbëve në Kosovë, Qeveria e Kosovës dëshiron ta destabilizojë gjendjen dhe t’i shmangë detyrimet që ka ndërmarrë përmes marrëveshjes së Ohrit”.
Bashkimi Europian deklaroi se shpreson që ajo që ka ndodhur ditët e fundit në veri të Kosovës nuk do të ndikojë në takimin e kryenegociatorëve të Prishtinës dhe Beogradit. BE e cilësoi marrëveshjen si kalim në një fazë të re në dialog, nga faza e krizave në një fazë të normalizimit.
Por, zhvillimet e fundit në veri e kanë kthyer frikën e përplasjeve. Takimi Bislimi-Petkoviç është i pari pas atij të Ohrit, ku kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç u pajtuan me zbatimin e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve, bazuar në propozimin franko-gjerman.