Sonila Qato: Deri në fund të vitit synojmë 6.2 milionë turistë në vend

Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Sonila Qato thotë se Qeveria e ka shndërruar turizmin një nga prioritet kryesore.

Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Sonila Qato thotë se Qeveria e ka shndërruar turizmin një nga prioritet kryesore.

“Synojmë që deri në dhjetor të këtij viti ta kenë vizituar vendin tonë 6.2 milionë turistë të huaj, ndërsa objektivi është që të arrihet numri i 10 milionë vizitorëve të huaj në vitet e ardhshme”.

Në një intervistë për mediet, Qato u fokusua tek ndikimi i sektorit të turizmit në sipërmarrje dhe zhvillimin ekonomik.

“Çdo turist që ka shkelur vendin tonë është një investitor strategjik, po janë gati 1 milion turistë të huaj që kanë vizituar vendin tonë gjatë muajit korrik, por edhe më shumë do të dalin nga statistikat e INSTAT. Këto janë persona që shtojnë të ardhura ekonomike, shtojnë taksat dhe detyrimet që derdhen në arkën e shtetit, por turistët janë përfaqësues shumë të mirë dhe ambasadorë të vendit tonë, sepse ne duam të integrohemi në BE shumë natyrshëm, si një vend i cili ofron kushte dhe standarde shumë të mira”, – tha Qato.

Më tej, Qato tha se tri janë sfidat e kësaj qeverie në fushën e turizmit: diversifikimi i turizmit, sfida për ta zgjatur sa më shumë sezonin turistik dhe rritja e standardeve që u ofrohen turistëve vendas dhe të huaj. Këto janë sfida që janë marrë përsipër pasi qeveria mendon se turizmi është një potencial i çmuar i zhvillimit të ekonomisë së vendit.

Duke folur për numrin e lartë të turistëve për muajin korrik, Qato tha se për turistët që kanë zgjedhur të pushojnë jashtë vendit nuk kemi ende një informacion. “Por, nga viti 2013 e deri më sot turizmi ka pasur një rritje progresive me 12%, ndërsa këtë vit do të kemi pritje të konsiderueshme që i kalon vitet e kaluara. Vetëm muaji gusht ofron një numër me 24% më shumë sesa muaji gusht i një viti më parë”, – tha Qato, raporton ATSH.