“Solidariteti i Kosovës e ka bërë më të lehtë përballimin e pasojave të tërmetit”

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta dhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, kanë takuar banorët e prekur nga tërmeti dhe ekipet nga institucionet e Kosovës që janë të angazhuar në terren për përballimin e situatës në Durrës

Pas tërmetit në Shqipëri që shkaktoi dhjetëra të vdekur dhe qindra të plagosur, institucionet e Kosovës kanë ofruar mbështetje të menjëhershme, duke u solidarizuar me familjet e prekura nga tërmeti dhe ndihmuar në përballimin e situtaës, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta dhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, kanë takuar banorët e prekur nga tërmeti dhe ekipet nga institucionet e Kosovës që janë të angazhuar në terren për përballimin e situatës në Durrës.

Meta, në një prononcim për mediat tha ky solidariteti i Kosovës e ka bërë më të lehtë përballimin e këtyre pasojave dhe të dhimbjes.

Duke iu drejtuar Haradinajt, Meta tha se “Duhet të jeni krenarë për Forcat e Sigurisë së Kosovës, për Policinë e Kosovës, sepse jam i sigurt që çdo vend i NATO-s do të ishte krenar për më të mirën që ato kanë shfaqur gjatë këtyre ditëve dhe netëve pa ndalim, pa u lodhur dhe për këtë ju dëgjoni vetë edhe reagimin e qytetarëve tanë të cilët shprehin mirënjohjen më të thellë dhe më të përzemërt të mbarë popullit tonë për këtë solidaritet vëllazëror”.

Haradinaj në prononcimin e tij tha se janë sot në Durrës pranë efektivëve të Policisë të Kosovës, të Ushtrisë së Kosovës, Ushtrisë së Shqipërisë, për të dhënë përkrahje të mëtejshme të gjithë të angazhuarve për përballimin e gjendjes.

“Ne bashkëndiejmë me familjet, bashkëndiejmë për viktimat, bashkëndiejmë me të gjithë ato vështirësi që i ka Shqipëria, bashkëkombësit tanë. Do të vazhdojmë me qenë bashkë prezent. Ju sigurojmë që nga Kosova nuk do të kursejmë asgjë, do të jemi bashkë”, theksoi Haradinaj.

Ai tha se “Të gjithë në Kosovë vërtetë bashkëndiejnë, janë bashkë më të gjithë të prekurit nga tërmeti. Njëkohësisht gjithë mekanizmat që i ka Kosova i ka në dispozicion”.

Kryeministri Haradinaj u shpreh se ka një numër të familjeve të prekura nga tërmeti që janë strehuar në Kosovë.

Nga tërmeti me magnitudë 6,3 ballë që goditi Shqipërinë më 26 nëntor, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, kanë humbur jetën 48 persona, ndërsa sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale 900 të lënduar nga tërmeti kanë marrë trajtim në spitale.

Tërmeti shkaktoi edhe dëme të konsiderueshme materiale, duke shkatërruar dhe dëmtuar pallate, shtëpi, monumente kulture, objekte të institucioneve, ndërsa vendi u godit në ditët e fundit edhe nga disa tërmete të tjerë.