“Sllovenia mbështet zgjerimin e BE-së për vendet aspiruese”

"Në Shqipëri ka një numër të konsiderueshëm sipërmarrësish sllovenë, por marrëdhëniet e mira mes dy vendeve ofrojnë mundësi më të mëdha se sa niveli aktual i marrëdhënieve ekonomike", tha Meta

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, ka filluar sot vizitën zyrtare dyditore në Shqipëri, ndërsa është takuar me homologun e tij, Ilir Meta dhe kryeministrin Edi Rama, raporton Anadolu Agency (AA).

Pahor është pritur nga Meta me ceremoni zyrtare në selinë e Presidencës së Shqipërisë, ndërsa pas takimit të dy homologët mbajtën një konferencë të përbashkët për media, ku u fokusuan në marrëdhëniet mes dy vendeve, mbështetjen e Sllovenisë për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe çështje të tjera.

Presidenti Meta gjatë konferencës tha së mbështetja e Sllovenisë për integrimin në Bashkimin Evropian (BE) është shumë domethënëse dhe inkurajuese për të vijuar reformat dhe për të përmbushur standardet.

“Në Shqipëri ka një numër të konsiderueshëm sipërmarrësish sllovenë, por marrëdhëniet e mira mes dy vendeve ofrojnë mundësi më të mëdha se sa niveli aktual i marrëdhënieve ekonomike. Një vëmendje të veçantë i kushtuam zhvillimeve të marrëdhënieve në Ballkanin Perëndimor, ku vlerësuam impaktin pozitiv që ka krijuar zgjidhja e çështjes së emrit të Maqedonisë së Veriut dhe hapja e rrugës së anëtarësimit të saj në NATO dhe BE”, tha presidenti Meta.

Meta u shpreh se ka theksuar në këtë takim edhe rëndësinë e madhe që ka procesi liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, pasi sipas tij Kosova i ka përmbushur me kohë të gjitha kushtet teknike.

Presidenti Meta tha se është e rëndësishme që të vijoj dialogu Kosovë-Serbi me qëllim garantimin e të ardhmes evropiane të dy vendeve dhe forcimin e perspektivës evropiane të rajonit.

Ndërsa Pahor tha se në fokus të bisedës me presidentin Meta ishte thellimi i marrëdhënieve mes Sllovenisë dhe Shqipërisë.

“Shqipëria dhe Sllovenia janë vende mike dhe i kanë të rregulluara marrëdhëniet ekonomike, politike dhe të gjitha marrëdhëniet e tjera. Ne na bashkon dhe ambicia e përbashkët që Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së dhe Sllovenia gjatë gjithë kohës e mbështet. Nga pikëpamja strategjike Sllovenia është avokat i negociatave të suksesshme të Shqipërisë me BE-në në Bruksel”, tha presidenti slloven.

Ai theksoi se këto takime realizohen në rrethana kur bota është më pak e sigurt dhe kur Evropa ka problemet e veta.

Pahor theksoi se Sllovenia e mbështet zgjerimin për vendet aspiruese, ku përfshihet dhe Shqipëria, duke shtuar se, “Duhet të ruajmë me çdo çmim atmosferën e dialogut dhe respektit reciprok”.

“Përshëndes përparimin e Maqedonisë së Veriut dhe guximin e Shkupit dhe Athinës që është arritur një marrëveshje. Të nxisim dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës. Vizita ime këtu dhe biseda me presidentin Meta është një shans që të reflektoj zgjidhjen e këtij kontesti të komplikuar mes Kosovë dhe Serbisë. Zgjerimi i BE-së me Ballkanin Perëndimor është çështje gjeopolitike. Nëse kjo para 10 viteve nuk është dukur kështu, ata që kanë dijeninë e duhur për zhvillimin e ngjarjeve duhet të jenë të vetëdijshëm për një gjë të tillë”, u shpreh presidenti i Sllovenisë.

Pahor është takuar edhe me kryeministrin Edi Rama, ndërsa nesër do të takohet me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi, si dhe do të vizitoj edhe qytetin e Krujës.