Skënderbeut i mjafton Muzaka, Telushi “fundos” Kamzën, Laçi mposht Luftëtarin

Fitore e vuajtur e Skënderbeut, Kastrioti bën paraqitje dinjitoze në Korçë. Shumë shtylla por vetëm një gol, Partizani u kthehet fitoreve me Kamzën...

Skuadra e Partizanit është rikthyer te suksesi, përmes fitores së shënuar mbrëmjen e të shtunës në përballjen ndaj Kamzës, në shifrat 1-0. Goli i vetëm i takimit u realizua nga Telushi në të 47’, në një ndeshje të dominuar nga Partizani, të paktën për nga rastet flagrante për gol, në dispozicion të të kuqëve.

Këta të fundit në “Selman Stërmasi” u detyruan të mundin jo vetëm kundërshtarin e ngjeshur në mbrojtje, por edhe fatin, që i ka ndalur të paktën në dy raste, nëpërmjet shtyllave, sikurse dhe arbitri me anullimin e golit të Bardhit, për pozicion jashtë loje.

Gjithsesi, të kuqtë e udhëhequr nga trajneri Skënder Gega kanë qenë të pafrenueshëm, aq sa për të arritur me çdo kusht objektivin, duke hipotekuar tre pikët që rikthyen Partizanin te fitorja, pas disfatës së javës së kaluar përballë Skënderbeut. Tashmë të kuqtë vijojnë të qëndrojnë vetëm 1 pikë larg kreut, ku tashmë janë pozicionuar korçarët. Nga ana tjetër, Kamza vijon të dergjet në zonën e akullt, duke u renditur në vend të 9-të të klasifikimit me vetëm 8 pikë në 11 javë.

Ishin pikërisht të kuqtë e Gegës ata që kanë nxituar të japin sinjalet e para, për t’u imponuar ndaj Kamzës, edhe pse pa saktësinë e duhur në finalizim. Ndërkohë, trajneri i miqëve, Klodian Duro u desh të bëjë llogaritë jo vetëm me kundërshtarin, por edhe me dëmtimet e hershme të futbollistëve të tij. Të detyrueshme ishin dy zëvendësimet e paevitueshme, që në pjesën e parë të takimit, duke larguar të dëmtuarit Orelesi dhe Beqiri. Të kuqtë kanë gjetur golin në të 34’, por realizimi i Bardhit është anulluar nga arbitri, si i parregullt për pozicion jashtë loje të Çinarit. Vetëm një minutë më pas, ishte sërish Bardhi protagonist por kësaj here në cilësinë e njeriut asistues, duke shërbyer një top fantastic për Malën, që godet fuqishëm, por topi përplaset në traversë.

Pikërisht atëherë kur pritej vërshëllima e arbitrit për përfundimin e pjesës së parë janë regjistruar dy shanse flagrante për gol nga të dyja kampet. Traversa e dytë për të kuqtë, kësaj here me protagonist Ibrahimin, dhe menjëherë më pas kundërpërgjigja e Kamzsës me Rolovic që tenton pas asistit të Zisit, por ndalon në mënyrë fantastike Hoxha.

Në fillimin të pjesës së dytë erdhi dhe goli që vendosi fatin e këtij takimi. Pas harkimit nga këndi, në një rrëmujë në zonën e kamzalinjve, Telushi ishte vigjilent dhe e çoi topin në fundin e rrjetës, duke kaluar të tijtë në avantazh. Me kalimin e minutave “të kuqtë” nisën që të tregoheshin më pragmatist, duke i krijuar hapësira miqve për të rrezikuar. Me fat ishin “demat” çerek ore para fundit, pasi Frashëri u ndal vetëm nga shtylla, pas një goditje nga jashtë zone.

Partizani shkon në kuotën e 25 pikëve, por mbetet në vendin e dytë, një pikë më pak se Skënderbeu i vendit të parë. Në krahun tjetër Kamza mbetet në vendin e parafundit me vetëm 8 pikë, duke regjistruar kështu dhe ndeshjen e 6 radhazi pa marrë fitore. Rrezikon tashmë trajneri Duro, i cili mund të largohet pas kësaj humbje.

Kategoria Superiore – Java 11
E shtunë, më 3 nëntor, ora 17:00
Stadiumi “Selman Stërmasi”, Tiranë
Partizani 1-0 Kamza
Shënues: Telushi 47′

Partizani: Hoxha, Ibrahimi, Belica, Atanda, Trashi, Telushi, Kote, Asani (Gojkoviç 75′), Mala (So Hyon 69′), Çinari (Mensah 60′), Bardhi. Trajner: Skënder Gega. Të gatshëm: Xhika, Bitri, Kardozo, Hebaj.
Kamza: Avdyli, Frashëri, Beqiri (Peçi 42′), Orelesi (Bonani 12′), Idrizaj, Malaj, Mumajesi (Rezi 73′), Mehmeti, Fukui, Zisi, Roloviç. Trajner: Klodian Duro. Të gatshëm: Kirev, Krasniqi, Rami, Teqaja.
Kartonë të verdhë: Atanda 41′, Ibrahimi 58’/ Fukui 45+2′

Gjyqtarë: Andi Koçi, Emigers Ganxhi, Astrit Mahmuti, Olsid Ferataj
Delegat: Alban Tafaj; Vëzhgues: Mhill Shkëmbi

Një gol i shënuar nga Gjergji Muzaka në minutën e 29-të i ka mjaftuar Skënderbeut për të marrë një fitore të çmuar 1-0 ndaj Kastriotit luftarak.

Stavri Nica kishte premtuar betejë dhe e mbajti fjalën, sepse Kastrioti luajti një ndeshje shumë dinjtoze, duke treguar se me pak fat mund të afrohet shpejt me zonën e mbijetesës, edhe pse mbetet në fundin e tabelës dhe po izolohet javë pas jave.

Skënderbeu vinte nga një fitore e madhe ndaj Partizanit dhe nisej favorit i madh, por duket se i duhen ndeshje të nivelit të lartë për t’u impenjuar në maksimum.

Gjergji Muzaka zgjidhi gjithçka me golin e shënuar në pjesën e parë, por goleada e pritur nuk erdhi, sepse Kastrioti luftoi deri në fund dhe Skënderbeu nuk ishte në ditë perfekte.

Edhe në fund krutanët provuan nga një goditje dënimi dhe më pas nga këndi, por pa mundur të shënojnë. Bregu mund të shënonte në aksionin e fundit, kur Kuka la portën dhe vlonjati kërkoi nga shumë larg rrjetën. Pak metra larg shtyllës dhe më pas gjyqtari Bajramaj ndali gjithçka dhe korçarët ishin të lirë të festonin fitoren e radhës.

Kategoria Superiore – Java 11

E shtunë, më 3 nëntor, ora 17:00
Stadiumi “Skënderbeu”, Korçë

Skënderbeu 1-0 Kastrioti
Shënues: Muzaka 29′

Skënderbeu: Teqja, Vangjeli, Sambou, Aliti, Abazi, Dita, Guexh (Demte 66′), Muzaka, Gripshi (Fili 64′), Bregu, Krasniqi (Oto Xhon 76′). Trajner: Orges Shehi. Të gatshëm: Dajsinani, Radas, Lulaj, Guindo.

Kastrioti: Kuka, Husein, Çela, Domgjoni, Stijepoviç, Shehu (Shehi 88′), Ymeraj, Okebugu, Bardhi, Marku (Vatnikaj 73′), Atsina (Roxher 46′). Trajner: Stavri Nica. Të gatshëm: Puja, Neziri, Preston, Shehi, Caca.
Kartonë të verdhë: Demte 75′, Aliti 80′, Dita 91′ / Stijepoviç 47′, Okebugu 51′

Gjyqtarë: Kreshnik Barjamaj, Gernat Qirici, Redvan Shaba, Enea Jorgji
Delegat: Petrit Haxhija; Vëzhgues: Besnik Kaimi

GOLI

29 ‘ – Kombinim i bukur mes Bregut dhe Abazit, ky i fundit harkon në qendër të zonës, ku Muzaka depërton ,me kokë dhe shënon golin e avantazhit.