Skenderbeu fiton dhe prek kreun, kamza vazhdon rënien e lirë

Skënderbeu tregon maturi, korçarët “dridhin” stolin e Klodian Duros!

Cinik, pa spektakël, por me 3 pikë! Skënderbeu mposht Kamzën me rezultatin 2-0 në takimin e zhvilluar në stadiumin e Korçës. Otto John ishte heroi i ekipit të trajnerit Shehi që rrëmben 3 pikë të rëndësishme në tabelën e klasifikimit, ndërsa Dejvi Bregu i vuri vulën suksesit. Një ndeshje e luajtur me një ritëm mesatar dhe pa shumë spektakël. Tifozët e pranishëm u kënaqën vetëm me fitoren e ekipit të tyre, pasi niveli i lojës la për të dëshiruar. Fizik dhe pa shumë shije teknike, tipik për Superioren.

Pjesa e parë e sfidës ka qenë më e luftuara dhe ka dhuruar më shumë emocione. Korçarët zhbllokuan shifrat me anë të Otto John në minutën e 12′. Vangjeli futi një top mjaft mirë pas shpinës së mbrojtjes. Sulmuesi afrikan e kontrolloi mjaft mirë dhe përshëndeti rrjetën për 1-0. E fjetur mbrojtja e Kamzës në ato momente, ndërsa portieri Avdyli ka përgjegjësi për faktin se nuk ishte i dalë sa duhet.

Goli nervozoi lojtarët e Kamzës që u bënë më agresiv dhe nisën sulmet drejt portës së Teqjas. Miqtë fituan penallti me anë të Zisit. Mesfushori shmang Radasin me kroatin që i ndërhyn keq. Ndërhyrja ishte jashtë zone, por gjyqtari Myrtja akordoi 11-metërsh. Kapiteni Plaku merr përsipër që të ekzekutojë, por e fluturon topin jashtë portës duke humbur shansin e artë për të barazuar.

Penalltia e shkaktuar nga Radas. Ndërhyrja është dukshëm jashtëzone.

Deri në fund të 45 minutave të para nuk u shënua asnjë rast tjetër shumë i rrezikshëm. Trajneri Orges Shehi shqetësohet nga dalja e Muzakës në minutën e 26′. Pjesa e dytë nis me ndryshime, pasi trajneri Klodian Duro largon Bonanin dhe hedh në fushën e lojës Martinenen. Minutat e para të pjesës së dytë nisin me ritëm të avashtë.

Skënderbeu mundohet të kontrollojë lojën dhe të mundohet të gjejë golin e avantazhit, ndërsa miqtë duan të barazojnë. Aksionet e rrjedhshme mungojnë nga të dy skuadrat që luftojnë fort në mesin e fushës. Korçarët vendosen mirë mbrapa, ndërsa miqtë nuk depërtojnë dot. Duhet të vinte minuta e 80-të që Kamza të rrezikonte seriozisht portën e Teqjes, që reagon mjaft mirë në dy kohë duke mbrojtur portën e tij.

Kamza shton presionin në minutat e fundit, por nuk ia del dot mbanë të barazojë. Skënderbeu rrëmben një fitore të rëndësishme, pavarësisht se nuk bind shumë. Atëherë kur u mendua se do të mbyllej gjithçka me rezultatin 1-0, Dejvi Bregu shënon një perlë të vërtetë nga një goditje dënim. Goditje e fuqishme, kordinim perfekt dhe trekëndëshit të mbrojtur nga Avdyli  “i shkundet” pluhuri. Në këtë fazë të rëndësishme janë pikët. 3 pikësh që i jep momentalisht kryesimin “ujqërve” me 20 pikë, në pritje të ndeshjes së Partizanit. Kamza humb sërish duke komplikuar pozitat e trajnerit Klodian Duro. Vendi i 7-të me 7 pikë në 9 ndeshje. Shumë pak për ekipin kamzali.

Kategoria Superiore – Java 9
E diel, më 21 tetor, ora 14:00
Stadiumi “Skënderbeu”, Korçë

SKËNDERBEU 2-0 KAMZA
Shënues: 
Oto Xhon 12′, Bregu 90+3′

Skënderbeu: Teqja, Vangjeli, Radas, Aliti, Abazi, Dita, Muzaka (Demte 27′), Guedj, Gripshi, Bregu, Oto Xhon (Guindo 67′). Trajner: Orges Shehi. Të gatshëm: Dajsinani, Sambou, Fili, Hoxhaj.
Kamza: Avdyli, Frashëri, Teqja, Arrabal, Bonani (Martinena 46′), Orelesi, Mehmeti, Mumajesi, Plaku, Zisi, Roloviç (Fukui 45+2′). Trajner: Klodian Duro. Të gatshëm: Kirev, Fejzaj, Krasniqi, Turhani, Rami.
Kartonë të verdhë: Radas 15’/ Bonani 10′, Teqja 61′
Gjyqtarë: Indrit Myrtja, Melis Dervishi, Fisnik Thorja, Blerim Ziri
Delegat: Alban Tafaj; Vëzhgues: Albano Janku

DIREKT
90+3’ –
 Bregu ekzekuton mjaft mirë një goditje dënimi, duke e shtangur portierin mik dhe duke shënuar golin e dytë për korçarë.

78’ – Aldo Teqaj bëhet hero me pritjet e tij, teksa fillimisht i mohon Plakut golin, i cili goditi bukur fluturimthi, ndërsa i thotë ’jo’ dhe Martinenës më pas nga fare pranë.

73’ – Bregu pasoi saktë tek Demte, i cili bëri gjithçka mirë deri në zonën e Kamzës, por në fund nguroi që të shërbente në qendër, duke u dhënë mundësinë lojtarëve miq që të largonin topin në këndore.
71’ – Zisi provon që të rrezikojë me një aksion nga e majta, por pasimi i tij ndalet nga një prej mbrojtësve korçar, duke mos e lejuar Martinenën që të rrezikonte portën e Aldo Teqes.
66’ – Guedj provon nga brenda zone, por nuk tregohet i saktë, duke e ccuar topin jashtë kuadratit të Avdylit.
63’ – Plaku avancon i vetëm deri në dalje të zonës së Skënderbeut, por kapiteni preferon të godasë vetë, por nuk tregohet i saktë, me topin që shkoi ngjitur me shtyllën e portierit vendas.
45+2’ – Duro nuk pret që të përfundojë pjesa e parë dhe aktivizon Fukuin në vend të Roloviç vetëm pak sekonda pa u dëgjuar vërshëllima e gjyqtarit për të mbyllur pjesën e parë.
27′ – Shehi bën një zëvendësim të detyruar, duke larguar Muzakën të dëmtuar dhe vendin e tij e zë Demte. 
25’ –
 Bruno Dita provon me një goditje nga distanca, por topi është jashtë kuadratit të portës së Kamzës.
15’ – Zisi pengohet nga Radas dhe gjyqtari kryesor akordon 11-metërsh. një moment i diskutueshëm, pasi nga përsëritjet duket se kontakti ka qenë jashtë zonës së rreptësisë. Plaku merr përsipër ekzekutimin, por gabon nga pika e bardhë e penalltisë, duke e nxjerrë topin jashtë.

12’ – Oto Xhon del i vetëm me portierin, mbrojta mike nuk e shqetëson dhe sulmuesi ka kohë të koordinohet dhe të godasë, duke shënuar golin e parë për skuadrën e tij në të parin rast që krijohet.

1′ – NIS NDESHJA!