Policia e Shtetit, ditën e sotme, në një njoftim për mediat ka bërë me dije se mbrëmjen e djeshme nuk ka ndodhur asnjë sulm kibernetik në sistemin TIMS, duke përgënjeshtruar kështu lajmin e publikuar nga mediat.
Sipas policisë, në kuadrin e përmirësimit dhe rritjes së performancës së sistemit TIMS, mbrëmjen e djeshme janë realizuar disa procese të parashikuara mirëmbajtjeje, të cilat ndërprenë shërbimin në interval të shkurtër kohor në disa prej pikave kufitare, por pa sjellë pengesa në lëvizjen e lirë të qytetarëve.
Mësohet se sistemi TIMS vijon të jetë funksional në të gjitha pikat kufitare.
Policia sqaron gjithashtu, se edhe në ditët në vijim do të ketë ndërprerje me afat të shkurtër kohor në pika të ndryshme kufitare, për shkak të ndërhyrjeve të brendshme me qëllim përmirësimin e performancës së sistemit TIMS.