Siri – Sulmet ajrore të regjimit vrasin 3 fëmijë në Idlib

Tre fëmijë nga e njëjta familje u vranë dhe një tjetër u plagos në sulmet ajrore të regjimit të Esadit dhe mbështetëses së tij Rusisë ndaj vijave të frontit të opozitarëve ushtarakë dhe vendbanimeve civile në Zonën e Çtensionimit në Idlib të Sirisë.

Regjimi i Esadit ka sulmuar nga toka dhe ajri qytezën Xhishir al-Shugur (Jisr al-Shughur) dhe fshatrat Sheik Sindijan (Sheikh Sndian), Ganije (Ghanya), Kefer Senxhe (Kafar Sijnah), Sutuh al-Deir (Sutuh al Deir), që ndodhen brenda kufijve të Zonës së Çtensionimit të Idlibit sirian.

Sipas radarit të opozitarëve të armatosur për vëzhgimin e avionëve luftarakë, edhe aeroplanët luftarakë rusë sulmuan fshatrat Sheik Mustafa (Sheikh Mustafa), Nukejer (Al Naqeer), Hassane, Xhibala, Tehtaya, Bsida, al-Dar al-Kebire (Aldar Alkaberah), al-Tine dhe Myshejrife (Misherfah).

Të paktën tre fëmijë nga e njëjta familje u vranë dhe një tjetër u plagos në sulmet ajrore që u ndërmorën të martën në mbrëmje në fshatin al-Dar al-Kebire (Aldar Alkaberah) të Idlibit në veriperëndim të Sirisë, tha të martën agjencia siriane e mbrojtjes civile (Beretat e Bardha).

Ekipet e mbrojtjes civile vazhdojnë punimet e kërkim-shpëtimit në vendin e ngjarjes.

Nga ana tjetër në sulmet ajrore ruse ndaj vendbanimeve që ndodhen brenda kufijve të Zonës së Çtensionimit në Idlibin sirian janë plagosur edhe dy punonjës të bluzave të bardha.

Avionë luftarakë, që sipas qendrës (radarit) së opozitarëve të armatosur për vëzhgimin e avionëve kanë qenë të Rusisë, të martën në mbrëmje kanë kryer sulme ajrore në qytezën Marretinuman dhe fshatrat Shinan dhe Maarshurin të Idlibit.

Zuheyr Karra, drejtor i Spitalit Obstetrik-Gjinekologjik dhe Pediatrik “Ihlas” në fshatin Shinan, tha se avionët luftarakë kanë kryer sulme të dyfishta në orët e vona të natës dhe si pasojë e sulmit është shembur 80% e spitalit, janë plagosur 2 punonjës dhe si pasojë e gjendjes së krijuar fëmijët në inkubator dhe pacientët e shtruar në spital janë evakuuar jashtë godinës.

Ekipet e Mbrojtjes Civile të Idlibit shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes, shuan zjarrin dhe evakuuan pacientët dhe personelin e spitalit.

Në vitin 2018 Turqia dhe Rusia ranë dakord ta kthejnë Idlibin në një zonë çtensionimi. Që atëherë, më shumë se 1.300 civilë janë vrarë nga sulmet e regjimit dhe të forcave ruse në këtë zonë.