Sigurimet e detyrueshme motorike ishin më fitimprurëset për siguruesit edhe në 2020

Sigurimi kufitar i mjeteve ishte një ndër produktet që u prekën më shumë nga kriza e pandemisë, për shkak të kufizimit drastik të lëvizjeve ndërkufitare.

Për vitin e kaluar, primet e shkruara bruto pësuan rënie me 55% krahasuar me një vit më parë. Pesha e këtij sigurimi në strukturën e primeve të shkruara bruto ra në 1.5%, nga 3% që kishte qenë një vit më parë.

Megjithatë, ky produkt ishte më fitimprurësi për siguruesit shqiptarë për të dytin vit radhazi. Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se raporti i normës së fitimit nga aktiviteti teknik bruto ishte mbi 42%. Ky raport matet si rezultati teknik bruto në raport me primin e fituar prej produktit të sigurimit.

Polica e sigurimit kufitar mbulon përgjegjësitë motorike të shtetasve që vizitojnë Shqipërinë me mjete të regjistruara jashtë vendit. Përfitueshmëria e lartë nga policat e sigurimit kufitar mund të shpjegohen me faktin se ato janë produkte afatshkurtra dhe gjasat e ndodhjes së dëmeve janë më të pakta krahasuar me sigurimet e tjera, që kryesisht mbulojnë periudha njëvjeçare.

Edhe produkti tjetër që mbulon sigurimet motorrike ndërkufitare, kartoni jeshil, për vitin e kaluar rezultoi me përfitueshmëri të kënaqshme, në rreth 9.4%, nga 11.5% që kishte qenë një vit më parë. Produkti kryesor i tregut shqiptar, ai që mbulon përgjegjësitë motorrike ndaj palëve të treta brenda vendit (MTPL) rezulton fitimprurës në masën 9%, në rritje për të dytin vit radhazi. Ky raport një vit më parë kishte qenë afërsisht 7%.

Këto shifra tregojnë se edhe për vitin 2020 produktet e sigurimit të detyrueshëm motorrik rezultuan përgjithësisht më fitimprurëset për siguruesit. Këto produkte sjellin pjesën më të madhe të primeve (rreth 69% të primeve të sigurimit të jo-jetës për vitin 2019), por njëkohësisht edhe shumicën e fitimeve për kompanitë.

Nga ana tjetër, produktet kryesore të sigurimit vullnetar rezultuan me tregues me humbje nga aktiviteti teknik. Produktet më të rëndësishme vullnetare, ato të sigurimit të pronës nga katastrofat apo dëmtime të tjera, për vitin 2020 rezultuan aktivitete me humbje. Raporti i normës së fitimit nga aktiviteti teknik bruto për këto klasa rezultoi -4.4%, ndërsa një vit më parë humbja kishte qenë edhe më e madhe, me -18.8%. Megjithë dëmet e mëdha nga tërmetet e fundit të 2019, humbjet u ngushtuan, kryesisht sepse fatura më e madhe u pagua nga risiguruesit.

Një tjetër produkt me peshë, sigurimi Kasko i automjeteve, për vitin e kaluar rezultoi me humbje nga aktivieti teknik në masën 12.1%, ndërsa një vit më parë humbja kishte qenë edhe më e madhe, me 19.2%.

Ndër të paktat produkte vullnetare me peshë që rezultuan me fitim vitin e kaluar ishin sigurimet e shëndetit dhe ato të përgjegjësive. Sigurimet e shëndetit dhe aksidenteve kishin një raport të normës së fitimi nga aktiviteti teknik prej 3.9%, në nivel të përafërt me vitin 2019. Ndërsa për sigurimin e përgjegjësive ky raport rezultoi 1.2%, në rënie të ndjeshme nga niveli 8.9% i vitit 2019.

Në total, raporti i normës së fitimit nga aktiviteti teknik i kompanive të sigurimit, për vitin e kaluar u rrit në 7.84%, nga 3.6% që kishte qenë një vit më parë. Efektin kryesor në rritje të përfitueshmërisë së aktiviteti teknik e kanë dhënë kryesisht sigurimet e detyrueshme motorrike.