Ndonëse ritmet e vaksinimit kanë qenë të larta dy muajt e fundit, sërish Shqipëria mbetet shumë më poshtë se pjesa më e madhe e vendeve të Europës dhe mesatarja europiane për imunizimin e popullatës nëpërmjet administrimit të dozave të vaksinave.
Sipas të dhënave të Worldindata, të përditësuara deri në datën 4-5 maj, në Shqipëri ishin dhënë 19.3 vaksina për 100 banorë, në krahasim me 32.3 që është mesatarja europiane dhe rreth 36, që është mesatarja e Bashkimit Europian dhe pak më lart se mesatarja globale prej 15.5.
Worlindata mat numrin e përgjithshëm të dozave të vaksinimit të administruara për 100 persona në popullsinë totale. Kjo llogaritet si një dozë e vetme dhe mund të mos jetë e barabartë me numrin e përgjithshëm të njerëzve të vaksinuar, në varësi të regjimit specifik të dozës (p.sh. njerëzit marrin doza të shumëfishta).
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë, në vend, deri në 5 maj janë kryer në total 538,565 doza të vaksinës ndaj COVID-19. Mbi 419,246 vaksinime janë për persona mbi 60 vjeç. Deri më 4 maj, mbi 100 mijë të vaksinuar me dy doza.
Shqipëria vijon të renditet ndër 10 shtetet europiane, që kanë bërë më pak vaksinime, ndonëse pas Serbisë është e dyta në Ballkan për ritmin më të shpejtë. Rritje javët e fundit ka shënuar dhe Mali i Zi (13.6). Mbrapa janë me vaksinimin Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Bosnjë- Hercegovina, që nuk kanë arritur të japin më shumë se 5 doza për 100 banorë.
Në vendet e tjera të Europës, Turqia ka administruar 28.5 doza për 100 banorë, Italia 36.5, Greqia 31.7, Kroacia 23.8.
Vaksinimi në botë dhe rezultatet
Një dozë e vaksinës ishte pjesërisht efektive, duke ofruar 58% mbrojtje ndaj infeksionit, 76% kundër shtrimit në spital dhe 77% kundër vdekjes. Autorët e studimit në revistën mjekësore The Lancet thonë se kjo tregon rëndësinë e dozës së dytë. Studimi i tyre demonstron fuqinë e vaksinave për t’i dhënë fund dëmit të koronavirusit, thonë ata. “Këto zbulime sugjerojnë që niveli i lartë i vaksinimit mund të ndalojë në mënyrë domethënëse pandeminë dhe jep shpresë për kontrollin përfundimtar të shpërthimit të Sars-CoV-2, ndërsa programet e vaksinimit rriten në të gjithë pjesën tjetër të botës,” shkruajnë ata.
Emiratet e Bashkuara Arabe renditen të dytët në botë dhe kanë vaksinuar 108 persona për 100 banorë, Kili 78, Mbretëria e Bashkuar 74 dhe po 74 edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kili, që ka përdorur vaksinën kineze Coronavax, ka vaksinuar 78% të popullsisë. Pas një vale të fortë në mars, që erdhi si rrjedhojë e lirimit të masave dhe udhëtimeve të banorëve për pushime, vendi po tenton të hapet sërish. Një studim i paraqitur nga studiuesit në Universitetin e Kilit në 6 prill zbuloi se vaksina CoronaVac, nga prodhuesi kinez Sinovac Biotech, ishte 56.5% efektive në parandalimin e infeksioneve dy javë pas një doze të dytë. Por arriti vetëm 3% pas dozës së parë. Kjo vaksinë u përdor në 85% të totalit të vaksinimit në Kili.
Pjesa më e madhe e shteteve të botës po hapen gradualisht, me shpresë se imuniteti i tufës po arrihet gradualisht me ndihmën e vaksinave. Situata më e rënduar vijon të jetë në Indi, ku një mutacion i virusit po përhapet me shpejtësi, duke bërë që vendi të arrijë rekordin global të mbi 400 mijë rasteve në ditë dhe vdekjet t’i afrohen shifrës prej gati 4 mijë në ditë. Deri në fillim të majit, India kishte bërë vetëm 11.5 doza për 100 banorë, më poshtë se mesatarja globale prej 15.5.
Burimi: Monitor