Shuhet zjarri në Durrës, Nasto: U angazhuan 11 mjete dhe 48 forca zjarrfikëse

Një zjarr i fuqishëm ka rënë ditën e sotme në orët e mesditës në fshatin Radë të Durrësit, tek ish-nënstacioni i Radio Televizionit Shqiptar.

Një zjarr i fuqishëm ka rënë ditën e sotme në orët e mesditës në fshatin Radë të Durrësit, tek ish-nënstacioni i Radio Televizionit Shqiptar.

Zjarri kishte përfshirë një sasi të madhe toke të mbjellë me pemë dhe me ullinj, sipërfaqja e të cilës shkon në 55 ha. Flakët ishin përhapur edhe në pyllin e zonës.

I kontaktuar nga Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH), prefekti i Durrësit Roland Nasto tha se “pasi jam njoftuar nga shefi i shërbimit zjarrfikës, Avni Hoxha, bashkia Shijak, rreth orës 15:15 ku u njoha me situatën e krijuar aty nga zjarri, kam shkuar në vendngjarje ku sëbashku me nënkryetarin e bashkisë Shijak, Ilmi Gjergji kemi drejtuar skuadrat e shpëtimit nga zjarri.

Në këtë operacion për shuarjen e flakëve morën pjesë 11 mjete shpëtimi, si dhe 48 forca zjarrfikëse nga të cilat:

Një Zjarrfikëse dhe dy bote me ujë u vunë në ndihmë nga bashkia Shijak.

Dy Zjarrfikëse dhe dy bote me ujë u  vunë në ndihmë nga bashkia Durrës.

Një Zjarrfikëse u vu në ndihmë nga autoriteti portual i Durrësit.

Një Zjarrfikëse nga bashkia e Vorës si dhe një tjetër nga bashkia Kamëz, si dhe 2 fadroma nga bashkia Shijak, të cilat u erdhën në ndihmë skuadrave për shpëtimin nga zjarri.

Rreth orës 17 e 50 u bë e mundur shuarja e zjarrit, si dhe disa vatra të vogla zjarri u shuan plotësisht rreth orës 18 e 30″.

Prefekti theksoi bashkëpunimin e shkëlqyer mes bashkive kufitare të cilat erdhën në ndihmë të situatës.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të mos krijojnë situata të tilla, pasi zjarri është vënë me qëllim, ku dhe Policia e Shtetit po ndihmon në zbardhjen e situatës dhe vënien përpara përgjegjësisë autorët e zjarrvënies.