Shtohet lista e OTC-ve, “shtrëngohet” marrja e barnave me rimbursim

Mbi 800 barna do të mund të blihen gjatë këtij viti nga qytetarët pa recetën e mjekut në farmaci. Për vitin 2018 është përditësuar lista e barnave OTC ose e thënë ndryshe e barnave pa recetë.

Mbi 800 barna do të mund të blihen gjatë këtij viti nga qytetarët pa recetën e mjekut në farmaci. Për vitin 2018 është përditësuar lista e barnave OTC ose e thënë ndryshe e barnave pa recetë.

Me përditësimin e saj kjo listë është pasuruar duke përfshirë  më shumë se 800 lloje medikamentesh të cilat qytetarët mund ti blejnë pa recetën e mjekut. Me zgjerimin e listës së medikamenteve OTC  qytetarët mund të përfitojnë më shumë nga risitë që hidhen çdo ditë në treg.

Në një kohë kur zgjerohet lista e medikamenteve pa recetë, pacientët shqiptarë ndeshin vështirësi në përfitimin e medikamenteve të shtrenjta me rimbursim. Fondi ka hartuar një sërë rregullash dhe kriteresh për të përfituar rimbursimin e medikamenteve të shtrenjta. Rregullat për të mbledhur pikët që kërkon fondi për rimbursimin e medikamenteve janë jashtë parametrave shëndetësore, kur flasim për kurim apo parandalim të sëmundjeve, shkruan Scan.

Nëse i referohemi holluesit të gjakut Xarelto, në tregun farmaceutik shqiptar kushton 9500 lekë, ndërkohë që për ta marrë me rimbursim edhe pse mund të ta caktojë mjeku duhet që të kesh edhe dy diagnoza të tjera shtesë për të plotësuar pikët e kërkuara. Për të njëjtin medikament nëse bëjmë një krahasim me tregun farmaceutik të Kosovës, tregtohet me gjysmën e çmimit. Duke parë këtë situatë natyrshëm të lind pyetja, pse në Shqipëri ky medikament është kaq i shtrenjtë? Pse janë vendosur kaq shumë barriera për rimbursimin e tij?