Shqiptarët e bllokuar në Europë do të riatdhesohen nëpërmjet Air Albania

Sipas kryeministrit, numri më i madh i shqiptarëve që janë bllokuar jashtë vendit është në Itali, 650 vetë, Britaninë e Madhe, 114, Kroaci, 342 vetë, Zvicër, 77 e vende të tjera më pak.

Qeveria shqiptare do të ngarkojë kompaninë Air Albania të sjellë në atdhe disa qindra shqiptarë të bllokuar në shtete të ndryshme të Europës, bëri të ditur kryeministri Edi Rama në faqen e tij në Facebook.

Sipas kryeministrit, numri më i madh i shqiptarëve që janë bllokuar jashtë vendit është në Itali, 650 vetë, Britaninë e Madhe, 114, Kroaci, 342 vetë, Zvicër, 77 e vende të tjera më pak. Ai premtoi që nesër (të Shtunën) do të shpallë axhendën e fluturimit të avionit Lasgushi për javën e ardhshme ndërsa premtoi se të gjitha fluturimet e riatdhesimit do të ofrohen falas. Sipas tij, Ministria e Transportit është duke punuar fort për të marrë lejet e nevojshme për fluturimet e riatdhesimit në kushtet e bllokimit të kufijve në të gjithë kontinentin Europian.

Kryeministri nuk e shpjegoi se mbi çfarë kushtesh ekonomike Air Albania do të kryejë këto fluturime.

Rama e dha lajmin për planin e riatdhesimit ndërkohë që u ankua për ato që i quajti, sharje të padrejta nga publiku i gjerë ndaj qeverisë së tij duke deklaruar se ai dhe qeveria e tij po bëhen “katërmbëdjetë copash ditë dhe natë” për të ndihmuar popullin. Ai iu përgjigj sharjeve me sharje duke iu drejtuar disa personave, që sipas tij, “rrijnë mbyllur brenda por e harxhojnë kohën duke bërë lloj lloj komentesh të palëvdueshme me qarje.”

Më herët, Ministria e Punëve të Jashtme i tha BIRN se stafi i saj konsullor në vende të ndryshme dhe në Ministrinë e Jashtme është duke punuar vazhdimisht për të ndihmuar rreth 700 shtetas që kanë kërkuar asistencë për kthim në atdhe, transmeton Reporter.

“Puna për asistimin e tyre me gjithë vështirësitë kufizuese kategorike në të gjitha vendet, vijon për të gjetur zgjidhje optimale brenda të gjitha mundësive që ka shteti shqiptar,” tha ministria.

Shqipëria i është drejtuar me një notë verbale të gjitha vendeve anëtare të zonës Shengen për të kërkuar mospenalizimin e shqiptarëve që për shkak të krizës janë detyruar të tejkalojnë afatet e qëndrimit në këto vende.