“Shqipëria synon kualifikimin në kompeticionet e rëndësishme botërore”

Duka flet për ndeshjet e fazës eliminatore të "EURO 2020", bashkëpunimin mes federatave të Ballkanit, për trajnerin Panucci, vlerësimet për Turqinë, si dhe projektet e mandatit të tij në krye të FSHF-së

Shqipëria për sa i përket futbollit vazhdon të synojë kualifikimet në kompeticionet e rëndësishme botërore dhe evropiane, ndërsa në fokus është edhe zhvillimi dhe përmirësimi i infrastrukturës. Në vitet e fundit Kombëtarja e Shqipërisë në Futboll është përballur me shumë sfida dhe rezultate të ndryshme në favor dhe jo në favor të saj, ndërsa për vitin 2019, e presin sfida të reja, sidomos ndeshjet e fazës eliminatore të “EURO 2020”.

Në një intervistë për Anadolu Agency (AA), presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, flet për ndeshjet e fazës eliminatore të “EURO 2020”, bashkëpunimin mes federatave të Ballkanit, për trajnerin e Kombëtares së Shqipërisë, Christian Panucci, vlerësimet për Turqinë, si dhe projektet e mandatit të tij në krye të FSHF-së.

Duka, i cili e mban postin e kreut të FSHF-së që nga viti 2002, për grupet e fazës eliminatore për “EURO 2020” shprehet se janë në një lloj mënyre të baraspeshuara nga vetë procedura që ka shorti, duke ja lënë fushës rezultatet. Ai shton se diferencat e skuadrave sot në Evropë janë zvogëluar shumë dhe nuk është e lehtë të parashikosh rezultatet.

“Grupe të lehta apo shumë të vështira nuk ka. Në grupin tonë (grupi H) kuptohet që Franca është ekip i mirë, jo vetëm se është kampion bote, por ka futbollistë shumë të mirë dhe në gjendje shumë të mirë aktuale, gjithashtu dhe Turqia. Ne mund të arrijmë diçka të mirë kundër të gjitha skuadrave të grupit. Kemi arritur rezultate pozitive dhe negative edhe me Francën, edhe me Turqinë dhe me Islandën. Është një grup i hapur dhe për t’u luajtur me favorit në letër Francën, Turqinë, Islandën dhe pastaj Shqipërinë”, thekson kreu i FSHF-së.

Ai në lidhje me ndeshjen Shqipëri-Turqi, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020, që do të luhet në vitin 2019 në Shkodër, shprehet se “Kanë vlerësimin maksimal të gjithë kundërshtarët, ku çdo ndeshje është e rëndësishme dhe 3 pikët janë njësoj si t’i marrësh me Francën dhe si t’i marrësh me Andorrën, aq më shumë kur t’i marrësh kundër Turqisë, patjetër që duhet të djersitësh shumë, duhet ta vlerësosh dhe punosh shumë. Ne do të luajmë në shtëpi dhe i vetmi objektiv i jonë është që ta fitojmë ndeshjen me Turqinë, pavarësisht se është një kundërshtar për t’u respektuar për nga skuadra që ka, për nga përbërja e futbollistëve dhe gjithçka”.

“Arena Kombëtare drejt përfundimit”

Rreth rezultateve të Kombëtares së Shqipërisë në Futboll gjatë këtij viti që po mbyllet, Duka tha se nuk janë arritur rezultate pozitive në vitin 2018, por ai përgatitjen e skuadrës për ndeshjet eliminatore të “EURO 2020”, e konsideron pozitive, sepse shton se kanë eksperimentuar shumë dhe kanë ftuar shumë futbollistë.

Sa i përket projekteve dhe objektivave në të ardhmen, ai thekson se do të kërkojnë që numri i futbollistëve të dyfishohet, si dhe të përmirësojnë dhe zhvillojnë futbollin e femrave. Ai veçon edhe projektin “Grow”, që ka filluar prej një viti dhe që do të vazhdojë, me anë të të cilit synohet që të luajnë futboll të gjithë fëmijët në gjithë shkollat e Shqipërisë. Ndërsa si objektivi për ekipin kombëtar është kualifikimi në kompeticionet e rëndësishme botërore dhe evropiane.

Lidhur me infrastrukturën, sidomos në stadiume dhe ambientet për stërvitje, kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, thekson se krahasuar me vite me parë, sot Shqipëria ka mundësi zgjedhjeje për ndeshjet ndërkombëtare, duke iu referuar stadiumit “Elbasan Arena” në Elbasan dhe stadiumit “Loro Boriçi” në Shkodër.

“Gjithashtu po përfundojmë projektin më të madh të futbollit shqiptar, stadiumin kombëtar në Tiranë (Arena Kombëtare), i cili është drejt përfundimit dhe në vitin 2019 do të inaugurohet. Objektivi jonë është që të luhen ndeshjet kualifikuese të Evropianit në atë stadium, por me Turqinë do të luajmë në Shkodër”, tha Duka.

Në lidhje me bashkëpunimin mes federatave të Ballkanit, ai theksoi se kanë një lloj organizimi të federatave rajonale që janë 15 federata, ku bën pjesë edhe Turqia, duke realizuar vazhdimisht takime, shkëmbime eksperiencash dhe propozime konkrete për mbrojtjen e interesave të rajonit qoftë në UEFA dhe FIFA, por gjithashtu vazhdojnë edhe bashkëpunimet sportive.

“Kemi filluar një aktivitet konkret që do të fillojë me moshat U 15 dhe U17, që do të fillojë në Turqi dhe do të jetë i përvitshëm si aktivitet rajonal. Është një lloj kampionati për moshat e reja dhe është një nismë e përbashkët e federatave. Kemi goxha shkëmbime të tjera dhe marrëveshje të përbashkëta për të mbrojtur interesat e rajonit dhe zhvilluar futbollin në rajon. Me Kosovën ne kemi marrëdhënie shumë të mira, ndihmojmë njëri-tjetrin në mënyrë reciproke. Pothuajse gjithë trajnerët e Kosovës janë përgatit në Shqipëri, kanë përfunduar kurset në Shqipëri, arbritrat gjithashtu, si dhe kemi dhe shkëmbime eksperiencash”, tha Duka.

Kreu i FSHF-së, bashkëpunimin me trajnerin e Kombëtares së Shqipërisë në Futboll, Christian Panucci, e konsideron shumë të mirë dhe shton se gjithmonë kërkohet më shumë. “Ne nuk kemi pasur rezultate shumë të mira, por edhe vetë stafi apo Panucci nuk kanë qenë të njohur shumë mirë me ambientin, me futbollistët, me mentalitetin dhe gjendjen e tyre. Kam shumë besim që do të bëjë më mirë akoma në ndeshjet eliminatore (EURO 2020)”, shton Duka.

“Turqia ka një zhvillim të jashtëzakonshëm”

Duka vlerëson edhe infrastrukturën dhe zhvillimet rreth futbollit në Turqi, duke theksuar se ekipi kombëtar turk meriton më shumë.

“Në të gjitha këndvështrimet Turqia është zhvilluar shumë dhe ka një zhvillim të jashtëzakonshëm. Nëse do shikosh infrastrukturën është fantastike në të gjithë Turqinë, për të gjitha klubet turke dhe organizimi gjithashtu. Vetëm nëse shikohen shifrat me të cilat shitet e drejta televizive e kampionatit turk janë rekord në tre vitet e fundit. Ka shumë futbollistë turq që luajnë në ekipe të mira, gjithashtu futbollistë të mirë të Evropës që luajnë Turqi. Ekipi kombëtar turk meriton akoma më shumë në klasifikimet apo paraqitjet ndërkombëtare”, u shpreh Duka.

Për fazën eliminatore të Kampionatit Evropian në Futboll “EURO 2020”, kombëtarja e Shqipërisë dhe kombëtarja e Turqisë do të jenë në grupin H, së bashku me Francën, Islandën, Moldavinë dhe Andorrën.

Ndeshja e parë të cilën kuqezinjtë do ta zhvillojë përballë Turqisë, do të luhet më 22 mars të vitit të ardhshëm në stadiumin “Loro Boriçi”, në qytetin e Shkodrës. Këtë fazë Shqipëria do ta përfundojë më 17 nëntor 2019 me Francën në shtëpi.