Shqipëria përmbyll zyrtarisht kryesimin e Sekretariatit të SEDM-it, pas një drejtimi të suksesshëm
Shqipëria ka përmbyllur zyrtarisht kryesimin e Sekretariatit të Iniciativës së Ministrave të Mbrojtjes të Evropës Juglindore (South-Eastern Europe Defence Ministerial – SEDM), pas një periudhe të suksesshme që mbajti kryesimin nga viti 2019 deri në 2021. Më datë 26 gusht 2021, anëtarët e Sekretariatit të SEDM-it morën pjesë në ceremoninë për dorëzimit të Sekretariatit të…

Shqipëria ka përmbyllur zyrtarisht kryesimin e Sekretariatit të Iniciativës së Ministrave të Mbrojtjes të Evropës Juglindore (South-Eastern Europe Defence Ministerial – SEDM), pas një periudhe të suksesshme që mbajti kryesimin nga viti 2019 deri në 2021.
Më datë 26 gusht 2021, anëtarët e Sekretariatit të SEDM-it morën pjesë në ceremoninë për dorëzimit të Sekretariatit të SEDM-it dhe pasimit të stafetës palës bullgare, në qytetin e Kumanovës në Maqedoninë e Veriut, vendi ku është dislokuar brigada e SEEBRIG.
Delegacioni i Sekretariatit të SEDM-it kryesohej nga zëvendësministri i Mbrojtjes, Dallëndyshe Bici. Gjatë fjalës së vet, zëvendësministri Bici shprehu kënaqësinë e vendit tonë në përmbylljen e suksesshme të një pune dyvjeçare. Ajo theksoi vendosmërinë dhe përkushtimin e Shqipërisë gjatë kryesimit të Sekretariatit të SEDM-it për të vazhduar promovimin e rëndësisë të iniciativës së SEDM-it, e cila është provuar të jetë një mekanizëm i suksesshëm i ndërtimit të sigurisë në Evropën Juglindore.
Në përmbylljen e fjalës së saj, zëvendësministri i Mbrojtjes shprehu vlerësimin për komandantin e SEEBRIG, gjeneral brigade Aristeidis Iliopoulos dhe stafin e tij për punën dhe përpjekjet e vazhdueshme për të arritur sukses për të gjitha aktivitetet e SEEBRIG.
Gjithashtu ajo shprehu urimet më të mira Sekretariatit të ardhshëm SEDM të kryesuar nga Bullgaria dhe i siguroi mbështetjen e vendit tonë gjatë rrugëtimit të tyre.
Gjatë ceremonisë të dorëzimit së Sekretariatit të SEDM-it, anëtarët shqiptarë u vlerësuan me medalje nga kryetari bullgar i Sekretariatit të SEDM-it, për kontributin dhe punën e tyre dyvjeçare në këtë iniciativë.