Shqipëria, me rikuperimin më të shpejtë të turizmit në Europë, rritja më e lartë e net-qëndrimeve për 2022

Shqipëria po rezulton vendi që ka pasur ritmet më të larta të rikuperimit të turizmit në krahasim me periudhën e para pandemisë.

Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat dhe të përpunuara nga “Monitor”, për 10-mujorin 2022 në vend u regjistruan gjithsej gati 3.6 milionë net-qëndrimet në akomodimet turistike, me një rritje prej 22.8% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Shifra është në kontrast të plotë me Bashkimin Europian, i cili gjatë së njëjtës periudhë shënoi rënie me 5.6% të net-qëndrimeve në njësitë akomoduese turistike.

Kjo është rritja më e lartë e net-qëndrimeve në Europë. Pas Shqipërisë, rikuperimin më të shpejtë e shënoi Serbia, me 21.3%, e ndjekur nga Danimarka, 12.3%, Islanda (5%), Holanda (4%), Norvegjia (2.5%) dhe Turqia me 1.2%.

Vendet e tjera të rajonit vijuan të kishin një aktivitet turistik më të ulët sesa para pandemisë. Në Mal të Zi, net-qëndrimet për periudhën janar-tetor 2022 ranë me gati 9% dhe në Maqedoninë e Veriut u tkurrën me 21.3%.

Të dhëna të tjera të INSTAT, që anë të disponueshme deri në nëntor, tregojnë se hyrjet e turistëve të huaj shënuan një nivel rekord në 2022. Viti 2022 ka tejkaluar dukshëm vitin më të mirë turistik deri më tani që ishte 2019-a duke regjistruar në 11-mujor një rritje me 17% të numrit të vizitorëve. Për 11 mujorin në vend ka hyrë një numër rekord prej 7.1 milionë të huajsh.

Hyrja e më shumë të huajave ka ndikuar dhe në rritjen e ndjeshme të net qëndrimeve në akomodimet turistike.

Europa

Sipas Eurostat, industria e turizmit në BE duket se po e merr veten nga pandemia e COVID-19. Numri total i netëve të kaluara në akomodime turistike në vitin 2022 ishte afër nivelit para pandemisë (2.72 miliardë net në 2022 krahasuar me 2.88 miliardë në 2019; -5.6%).

Kjo paraqet rritje të konsiderueshme krahasuar me numrin e netëve të kaluara në 2020 dhe 2021 (1.42 miliardë në 2020, 1.83 miliardë në 2021; +91.1% dhe +48.3% në 2022, respektivisht).

Gjatë vitit 2022, shifrat mujore të turizmit u rritën vazhdimisht dhe përfundimisht iu afruan niveleve të muajve përkatës në 2019. Krahasuar me gjashtëmujorin e parë para verës 2019 (janar–qershor), në të njëjtën periudhë të 2022, netët e kaluara në akomodimet turistike ranë me 11.0%. Ndërkohë, periudha korrik-dhjetor pasqyroi nga afër nivelet e netëve të kaluara të vitit 2019 (-1,9%).

Të dhënat për vitin 2022 tregojnë gjithashtu se netët e kaluara nga turistët ndërkombëtarë i janë afruar niveleve të vitit 2019 (1.19 miliardë net në 2022 krahasuar me 1.36 miliardë në 2019; -12.6%). Kjo paraqet një rritje të fortë krahasuar me numrin e netëve të kaluara nga turistët e huaj në vitin 2020 dhe në vitin 2021 (412.5 milionë net në 2020, 587.8 milionë në 2021; +188.8% dhe +102.6% në 2022, respektivisht).

Sa i përket udhëtimeve të brendshme, të dhënat e vitit 2022 tregojnë një numër rekord prej 1.53 miliardë net të kaluara, një rritje prej 10.9 milionë krahasuar me vitin 2019 (+0.7%).

Ndër vendet e BE-së, numri i netëve të kaluara nga turistët vendas dhe të huaj në 2022 krahasuar me 2019 është rritur në tre nga Shtetet Anëtare me të dhëna të disponueshme: Danimarkë (38.4 milionë net në 2022 krahasuar me 34.3 milionë në 2019; +12.3%), Holanda (128.3 milionë krahasuar me 123.4 milionë; +3.9%) dhe Belgjika (42.7 milionë krahasuar me 42.5 milionë; +0.5%).

Ndërkohë, vendet e tjera nuk janë rikuperuar ende plotësisht nga ndikimi i pandemisë në turizëm. Ky ishte veçanërisht rasti në Letoni (3.9 milionë në 2022 krahasuar me 5.5 milionë në 2019; -29.6%) dhe Sllovaki (12.3 milionë krahasuar me 17.2 milionë; -28.3%).