Shqipëria me mungesa ndaj Polonisë, Cikalleshi pozitiv me COVID

Shqipëria do të ketë disa mungesa të rëndësishme në ndeshjen përballë Polonisë që do të luhet të martën në “Air Albania”.

Një prej tyre është sulmuesi Sokol Cikalleshi që do të mungojë pasi ka rezultuar pozitiv në testet me tampon të kryera nga Kombëtarja ditën e hënë.

Pas daljes së analizave Cikalleshi është larguar nga grumbullimi për të nisur karantinën dhe nuk ka marrë pjesë në seancën stërvitore. Përveç tij, të gjithë lojtarët e tjerë dhe stafi teknik kanë rezultuar negativë.

Trajneri Edy Reja do të ketë katër mungesa në sfidën ndaj Polonisë dhe më konkretisht Bekim Balaj e Berat Gjimshiti të dëmtuar, Endri Çekiçi i skualifikuar dhe Sokol Cikalleshi.

Berat Gjimshiti, që pësoi një dëmtim në parakrahun e majtë në ndeshjen me Hungarinë, është operuar në një nga klinikat sportive më të mira të Torinos, në Itali.

Pritet mbrojtësi kuqezi pas 7-10 ditësh do të rinisë stërvitjen dhe sipas parashikimeve do të jetë i gatshëm për të luajtur ndeshje zyrtare pas 30 ditësh.

Përballja ndaj Polonisë është e vlefshme për eliminatoret e Botërorit “Katar 2022” dhe rezultati do të jetë përcaktues për renditjen në Grupin I.

Aktualisht Shqipëria ndodhet në vendin e dytë me 15 pikë, ndërsa Polonia një pikë më pak në vendin e tretë. Në krye është Anglia me 19 pikë.

Në rast se kuqezinjtë do të ruajnë këtë pozicion deri në fund, kur kanë mbetur dhe tre ndeshje, atëherë do të luajë në fazën play-off për pjesëmarrje në botëror.