Në Shqipëri ka vazhduar në ditën e dytë bojkoti i proceseve gjyqësore nga avokatët, të cilët kundërshtojnë “hartën e re gjyqësore”, që parashikon uljen e numrit të gjykatave në vend, raporton Anadolu Agency(AA).
Nën thirrjen e Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë, avokatët kanë bojkotuar proceset gjyqësore pothuajse në të gjithë vendin, me përjashtim të masave të sigurimit të planifikuara për gjykim.
Greva e avokatëve e vendosur nga data 14-17 qershor është për të kundërshtuar miratimin nga Këshilli i Lartë Gjyqësor i Shqipërisë (KLGJ) të ndarjes së re të gjykatave, ku parashikohet ulje e numrit të tyre.
Sipas Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë, miratimi nga KLGJ i hartës së re gjyqësore cenon dhe kufizon rëndë qasjen në drejtësi të individit si dhe procesin e realizimit të mbrojtjes në çështjet penale, civile dhe administrative.
Në vendimin për bojkot të dhomës theksohet se vendimi për miratimin e hartës së re gjyqësore është në shkelje të rëndë të të drejtave dhe lirive themelore të individit.
“Dhoma e Avokatisë e Shqipërisë i bën thirrje ministrit të Drejtësisë dhe nëpërmjet tij i kërkojmë të përcjellë në qeveri, si institucioni vendimmarrës, gjithë argumentet e paraqitura në mbrojtje të interesave të personave fizik dhe atyre juridik, duke konkluduar mos miratimin vendimit të paraqitur nga ana e Këshillit të Lartë Gjyqësor”, thuhet në një njoftim të dhomës.
Ndërkohë, disa avokatë kanë sugjeruar që vendimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.
KLGJ ka propozuar ndarjen në 13 gjykata të shkallës së parë, 2 gjykatë administrative dhe 1 gjykatë apeli për të gjithë vendin.
Sistemi i drejtësisë në Shqipëri aktualisht është i organizuar në tre shkallë, ku përfshihen gjykatat e shkallës së parë, gjykatat e apelit dhe Gjykata e Lartë.
Në Shqipëri janë 29 gjykata të shkallës së parë, prej të cilave 22 janë gjykata rrethi me juridiksion të përgjithshëm, 6 gjykata administrative dhe 1 gjykatë e posaçme kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Gjithashtu janë 8 gjykata apeli, nga të cilat 6 janë gjykata apeli me juridiksion të përgjithshëm, 1 gjykatë administrative, 1 gjykatë e posaçme kundër korrupsionit e krimit të organizuar, si dhe Gjykata e Lartë.