Shqipëri, rritet në 10 numri i personave të prekur me koronavirus

Zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në një deklaratë për mediat, njoftoi se deri më sot janë testuar në Institutin e Shëndetit Publik (ISHP) 114 raste të dyshuara, prej të cilëve vetëm 10 janë pozitivë

Me konfirmimin e 4 rasteve të reja me koronavirus (COVID-19) në orët e fundit, numri i të prekurve në Shqipëri është rritur në 10, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, ka publikuar shifrat e fundit, ndërsa ky institucion iu ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin mjediset e mbyllura me shumë njerëz.

Zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Mira Rakacolli, në një deklaratë për mediat, njoftoi se deri më sot janë testuar në Institutin e Shëndetit Publik (ISHP) 114 raste të dyshuara, prej të cilëve vetëm 10 janë pozitivë.

“Njerëzit e sëmurë po trajtohen. Masat që vazhdojmë të marrim për njerëzit të cilët janë të dyshuar është karantinimi i detyrueshëm për të gjitha kontaktet e ngushta të atyre personave që dalin të infektuar, mbartës të sëmundjes. Karantinimi i detyrueshëm është shumë i rëndësishëm sepse jep disa gjëra shumë të mira, pasi shmang komplet kontaktet e këtyre njerëzve dhe ndalon sëmundjen të përhapet”, u shpreh Rakacolli.

Ajo duke iu bërë thirrje qytetarëve të respektojnë masat dhe udhëzimet e institucioneve, tha se duhet të evitohen grumbullimet e mëdha.

Institucionet në Shqipëri kanë marrë masa shtesë për parandalimin e depërtimit të koronavirusit. Në të gjithë vendin në institucionet arsimore publike dhe jopublike, është vendosur ndërprerja e procesit mësimor deri më 23 mars.

Ndërkohë, nga dita e sotme, nuk do të ketë shërbim transporti ajror dhe detar me Italinë. Në kudër të masave, Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka konfirmuar se aktiviteti futbollistik në Shqipëri do të vijojë, por ndeshjet do të zhvillohen me dyer të mbyllura.

Numri i personave të prekur nga koronavirusi i ri i cili u shfaq në qytetin Ëuhan të Kinës dhe më pas u përhap në të gjithë botën ka tejkaluar numrin prej 114.000 personave.

Për shkak të COVID-19 kanë humbur jetën mijëra persona, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), e cila shpalli epideminë si një emergjencë ndërkombëtare shëndetësore, përditësoi nivelin e rrezikut global në “shumë të lartë”.