Shqipëri, prezantohet botimi anastatik i gazetës “Lirija”

Ky botim është realizuar nga Fondacioni ALSAR në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, sipas tyre me qëllim vlerësimin e veprës së gjerë kulturore, shkencore e atdhetare të Mid’hat Frashërit

Në mjediset e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës gjatë një aktiviteti u prezantua botimi anastatik i gazetës “Lirija” e themeluar nga Lumo Skëndo (Mid’hat Frashëri) në vitet 1908-1910, raporton Anadolu Agency (AA).

Të pranishëm në ceremoninë e prezantimit ishin drejtues të Fondacionit ALSAR, të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, pedagogë, studiues dhe studentë.

Në fjalën e tij, dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës, Prof. Dr. Sabri Laçi, tha se ky botim është i veçantë për kohën kur është shkruar dhe për mesazhet që ka përcjellë.

“Fondacioni ALSAR i është gjendur pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në vijimësi me kontribute të shumëllojshme, ndër të cilat do të veçoja seritë e botimeve të rëndësishme për fakultetin, të cilat i janë dhuruar bibliotekës së këtij institucioni, duke investuar me bujari botime shumë cilësore në funksion të studentëve dhe veprimtarisë shkencore të stafit akademik”, tha Laçi.

Sipas tij, Fondacioni ALSAR edhe në panairin e librit ka ofruar falas për studentët dhe stafin akademik një numër të konsiderueshëm botimesh cilësore.

Kryetari i Fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra, nga ana e tij, tha se potencialet intelektuale dhe publicistike të shqiptarëve në fillim të shekullit të kaluar u shprehën, morën trajtë konkrete, në botimin e shumë periodikëve.

“Kurdo që periodikë të tillë u botuan, ato lanë një shenjë dhe ndihmuan në zgjimin e vetëdijes kombëtare. Një prej tyre ishte gazeta ‘Lirija’, e botuar nën drejtimin e Mid’hat Frashërit, me një jetëgjatësi pak më tepër se dyvjeçare”, u shpreh Gurra.

Gurra theksoi se kjo gazetë arriti t’u jepte zë problemeve, shqetësimeve, interesave dhe nevojave të shqiptarëve dhe sipas tij për aq sa u botua u bë një tribunë e vërtetë e publicistikës.

Sipas tij, kjo vepër nuk është e vetmja apo i vetmi botim anastatik që kanë botuar si fondacion, por kanë realizuar edhe botime të tjera.

Duke folur për rëndësinë e këtij botimi, Gurra theksoi se ai do t’iu vijë në ndihmë pedagogëve dhe studentëve në punën e tyre studimore.

Ky botim është realizuar nga Fondacioni ALSAR në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, sipas tyre me qëllim vlerësimin e veprës së gjerë kulturore, shkencore e atdhetare të Mid’hat Frashërit.