Shqipëri, fillojnë aktivitetet e “Javës së Parasë”

Zv/guvernatorja e parë e Bankës së Shqipërisë, Luljeta Minxhozi, tha qëllimi i javës së parasë është të edukojë brezin e ri që të jenë të vetëfinancueshëm në projektet e tyre

Gjatë një ceremonie është hapur sot “Java e Parasë”, ku me anë të aktiviteteve të ndryshme synohet edukimi financiar i publikut në përgjithësi dhe me fokus të veçantë të rinjtë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në fjalën e saj në aktivitet, zëvendësguvernatorja e parë e Bankës së Shqipërisë, Luljeta Minxhozi, tha qëllimi i javës së parasë është të edukojë brezin e ri që të jenë të vetëfinancueshëm në projektet e tyre.

“Kjo festë është kthyer tashmë në një takim të përvitshëm të të gjithë aktorëve të interesuar në këtë fushë sa të bukur e të rëndësishme, aq dhe të ndërlikuar e sfiduese. Natyrshëm, Banka e Shqipërisë, si shumica e bankave qendrore në botë, ka marrë pozicion pro aktiv në përpjekjet për rritjen e kulturës financiare. Ky angazhim përputhet plotësisht me frymën e transparencës ndaj publikut e të rritjes së nivelit të ndërgjegjësimit të tij mbi çështje ekonomike e financiare që ndikojnë në jetën e përditshme të gjithsecilit”, tha Minxhozi.

Ajo tha se gjatë 12 viteve, janë krijuar e zbatuar projekte të panumërta edukative, ndërsa këtë vit slogani është “fito dhe kurse”.

Sipas saj, projektet u janë drejtuar grup-moshave të ndryshme, duke filluar nga trajnimet e mësuesve dhe të gazetarëve, broshurat drejtuar publikut të gjerë, deri tek programet dedikuar shkollave të mesme.

Ndërsa zëvendësministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e Shqipërisë, Lorena Haxhiu, tha se Shqipëria edhe këtë vit bëhet pjesë e Javës Globale të Parasë.

Sipas saj, ministria së Arsimit, Sportit dhe Rinisë është e angazhuar të kontribuojë drejt orientimit të krijimit të një kulture financiare tek fëmijët dhe të rinjtë.

Java e Parasë, që organizohet në Shqipëri nën kujdesin e Banka Qendrore të Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, është një nismë mbarëbotërore që ka për qëllim ndërgjegjësimin e brezit të ri për të qenë qytetarë të përgjegjshëm dhe të aftë për të marrë vendime financiare të mirëmenduara.

Institucionet në vend do të organizojnë në datat 25-31 mars aktivitete të ndryshme për t’i përfshirë të rinjtë, duke u mësuar si të kujdesen për paratë, si të mendojnë financiarisht apo si t’i kuptojnë ndryshimet në sistemet ekonomike ku jetojnë dhe si të fitojnë të ardhura nëpërmjet sipërmarrjes.