Shpërndahet parlamenti britanik, Johnson: Përfundojmë Brexit ose ju pret ‘horrori’ Corbyn

Nis zyrtarisht fushata elektorale në Mbretërinë e Bashkuar për zgjedhjet e parakohshme të 12 dhjetorit. Kryeministri, Boris Johnson, u takua në Pallatin Buckingham me Mbretëreshën Elizabet, e cila garantoi lejen për shpërndarjen e parlamentit britanik.

Pas rikthimit në selinë qendrore të qeverisë, Johnson u bëri thirrje qytetarëve që të mbështesin partinë Konservatore dhe planin e tij e paraqiti si të vetmin opsion për divorcin nga Bashkimi Europian, shkruan A2News.

“Na mbështesni që të përfundojmë Brexit dhe ta çojmë këtë vend përpara. Alternativa tjetër është të shpenzoni të gjithë 2020 në një spektakël horrori me më shumë pasiguri dhe shtyrje. Imagjinoni të zgjoheni me 13 dhjetor dhe të gjeni Corbyn në drejtim të një koalicioni. Ata do të shpenzojnë të gjithë 2020 me organizimin e dy referendumeve”, deklaroi publikisht Johnson.

Në tentativë për të marrë mbështetjen e qytetarëve, edhe lideri i opozitës laburiste, Jeremy Corbyn, prezantoi planin e tij për Brexit. Ai theksoi se do të kërkojë një ujdi të re për divorcin nga BE dhe se do të mbajë një referendum për të brenda 6 muajve. Ndërkohë, Johnson kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme duke synuar forcimin e partisë së tij në Dhomën e Komunëve, në mënyrë që të ratifikojë ujdinë e re për Brexit të arritur me Brukselin.

Kjo do të jetë hera e katërt në pesë vite që britanikët u drejtohen kutive të votimit. Me afatin e ri, Britania largohet zyrtarisht nga BE më 31 janar të 2020.