Shoqata “Ensar” shtron iftar për jetimët në Shkup

Shoqata “Ensar”, në bashkëpunim me shoqatën “Deniz Feneri” dhe sindikatën “Eğitim Bir-Sen", në Shkup shtroi iftar për mbi 100 jetimë dhe të afërmit e tyre

Shoqata “Ensar” nga Shkupi, në bashkëpunim me shoqatën “Deniz Feneri” dhe sindikatën “Eğitim Bir-Sen” nga Turqia, me rastin e Ditës botërore të jetimëve në Shkup shtroi iftar për mbi 100 jetimë dhe të afërmit e tyre, raporton Anadolu Agency (AA).

Në sofrën e iftarit ishte e pranishme edhe ambasadorja turke në Shkup, Tülin Erkal Kara, koordinatori i TIKA-s në Shkup, Aytekin Ayden, këshilltari për çështjet fetare në Ambasadën turke në Shkup, Murat Alkan, drejtori i Fondacionit Turk “Maarif” për Maqedoninë e Veriut, Mustafa Dillioğlu, kreu i Lidhjes së Shoqatave Joqeveritare Turke në Maqedoninë e Veriut (MATÜSITEB), Hüsrev Emin, si dhe të ftuar të tjerë.

Duke iu adresuar jetimëve në programin e softës së iftarit, ambasadorja turke tha se ajo ndihet si nëna e tyre.

“Kurdo që të keni probleme, ju lutem ejani trokitni në dyert tona, trokitni në mënyrë që të paktën të largohemi nga kjo vrazhdësi e përditshme dhe të përpiqemi së bashku me ju të jemi të lumtur”, theksoi Kara.

Duke falënderuar shoqatën “Deniz Feneri” dhe sindikatën “Eğitim Bir-Sen”, Kara tha se është e nevojshme që këto aktivitete të vazhdojnë të mbahen gjithmonë.

Erol Ermiş, duke folur në emër të shoqatës “Deniz Feneri” dhe sindikatës “Eğitim Bir-Sen”, theksoi se tashmë tre vite me radhë takohen me “vëllezërit nga Ballkani”.

“Unë si Erol Ermiş, kjo që sot ndodhem në hapësirat ballkanike, të paktën pak t’u shërbej vëllezërve të mi këtu e konsideroj një nga detyrat më të rëndësishme në jetën time”, tha Ermiş.

Nikoqiri i sofrës së iftarit, kreu i shoqatës “Ensar”, Süleyman Baki, bëri të ditur se me mbështetjen e shoqatës “Deniz Feneri” dhe sindikatës “Eğitim Bir-Sen”, këtë vit për herë të pestë organizojnë iftar për mbi 100 jetimë dhe të afërmit e tyre.

“Qëllimi ynë është të rrisim vetëdijen për jetimët, të jemi së bashku me ta në sofrën e iftarit, të njihemi me njëri-tjetrin, të dëgjojmë problemet e tyre dhe të gjejmë zgjidhje pët ato probleme”, tha Baki, duke shtuar se jetimëve po ashtu do t’u ndahet çek prej 1.000 denarësh.

Shoqata “Deniz Feneri” dhe sindikata “Eğitim Bir-Sen” nesër do të organizojnë iftar në Mal të Zi, pastaj edhe në Bosnjë e Hercegovinë.