Shkup, takimi i liderëve pa epilog për mbajtjen e referendumit

Kryeministri Zoran Zaev tha se bisedimet kanë qenë kryesisht të përqëndruara tek çështjet që kanë të bëjnë me referendumin, më saktësisht formimin e KSHZ-së, ndërkohë që paralajmëroi një takim tjetër të dielën në mbrëmje osë të hënën

Përkundër një përparimi të vogël, as takimi i sotëm i liderëve të partive politike nuk dha një zgjidhje për tejkalimin e dallimeve mes opozitës dhe pozitës lidhur me zhbllokimin e krizës politike për emërimin e përbërjes së re të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSH), i cili do të duhet të organizojë referendumin për marrëveshjen me Greqinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas takimit i cili zgjati për rreth katër orë, kryeministri Zoran Zaev tha se bisedimet kanë qenë kryesisht të përqëndruara tek çështjet që kanë të bëjnë me referendumin, më saktësisht formimin e KSHZ-së, ndërkohë që paralajmëroi një takim tjetër të dielën në mbrëmje osë të hënën.

“Ka çështje për të cilat mund të merremi vesh. Jemi të vetëdijshëm se ky proces i ka ditët e numëruara, nga fakti se dëshirojmë të zbatojmë referendumin në kohë, pas çka do të mund të bëjmë ndryshimet kushtetuese, në mënyrë që në fillim të vitit të ardhshëm të marrrim një konfirmim nga Greqia”, deklaroi Zaev me bindje se takimi i radhës do të jetë frytëdhënës.

Kryetari i partisë më të madhe opozitare, VMRO-DPMNE, Hristian Mickovski, nga ana e tij theksoi se temat e trajtuara në takim nuk janë të reja, ndërkohë që njoftoi se për disa çështje kanë afruar qëndrimet.

“Nëse synojmë parimet evropiane, do të duhet të sillemi në mënyrë të tillë dhe jo vetëm deklarativisht, pasi duhet të respektojmë kushtetutën dhe ligjet, dhe jo duke parashtruar pyetje me më shumë kuptime”, tha Mickovski, i cili njoftoi se në takim është diskutuar edhe formulimi ndryshe i pyetjes së referendumit të cilën të mërkurën e prezentoi kryeministri Zaev.

Kryatari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, tha se të gjitha partitë politike janë të interesuara për gjetjen e një kompromisi i cili do të zgjidhë dallimet të cilat ekzistojnë, për të shtuar se finalizimi i suksesshëm i marrëvesjes me Greqinë kërkon angazhimin e të gjitha palëve të përfshira në proces.

“Mbetet që zgjidhja të arrihet në ditët në vijim, sepse nuk janë shterur të gjitha mundësitë të cilat do të diskutohen në ditët në vijim. Pres që të gjithë të veprojnë guximshëm që të mos humbim këtë shans historik”, tha Ahmeti.

Kreu i njërit nga krahët e Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, tha se partia e tij do të luajë rol konstruktiv në këtë proces, duke zgjedhur anëtërët e KSHZ-së.

“Shteti është në situatë kritike, ndërsa ka një pozitë të lakmueshme të vazhdojë procesin e eurointegrimeve, prandaj përshëndesim këtë takim”, tha mes tjerash Kasami.

Për dallim nga takimi i djeshëm, takimi i sotëm i liderëve të partive parlamentare në Maqedoni u mbajt në format më të vogël, me pjesëmarrjen e vetëm katër partive, dy maqedonase dhe dy shqiptare, me kërkesë të kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, i cili të mërkurën u shpreh i pakënaqur nga formati i zgjeruar i tij.

Takimi i liderëve është thirrur nga shkaku i zvarritjes së zgjedhjes së anëtarëve të KSHZ-së, edhe pse partitë ishin dakorduar paraprakisht për emrat e anëtarëve të rinj, gjë e cila pamundëson mbajtjen e referendumit në të cilin qytetarët e Maqedonisë do të duhet të deklarohen nëse vallë pranojnë marrëveshjen me Greqinë, e cila parasheh ndryshimin e emrit të shtetit në Republika e Maqedonisë së Veriut, që paraqet kushtin kryesor për antarësim në NATO dhe çelje të negociatave më Bashkimin Evropian.