Shkup, shënohet Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve

Në Maqedoninë e Veriut nga viti 2007 si ditë jo pune është shpallur vetëm 1 maji, ndërsa deri në vitin 2006 ditë jo pune kanë qenë 1 dhe 2 maji

Në Maqedoninë e Veriut është shënuar Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve – 1 Maji, që tradicionalisht në botë shënohet në nder dhe përkujtim të luftës së punëtorëve për avancimin e të drejtave të tyre, raporton Anadolu Agency (AA).

Sindikata e Pavarur e Gazetarëve, Sindikata e Shërbimit Diplomatik, Sindikata e Pavarur Akademike dhe Sindikata për Kulturë, këtë vit u organizuan nën moton “Më 1 maj ku je? Për të drejtat e tua, je në rrugë”.

Sanja Arsovska, kryetare e Sindikatës për Kulturë, tha se nga vitin e kaluar kanë pasur tri kërkesa deri te Ministria e Kulturës, valorizimi i titujve profesionalë, miratimi i Ligjit të ri për Kulturë dhe nënshkrimi i marrëveshjes së re kolektive.

Nga këto tre kërkesa, ajo tha se është realizuar vetëm valorizimi i titujve profesionalë, ndërsa si zgjidhje e përkohshme para arritjes së marrëveshjes kolektive, është bërë nivelimi i rrogave, me çka 80 për qind e të punësuarve do të marrin rroga më të larta.

“Jemi të vetëdijshëm se nivelimi nuk është zgjidhje e problemeve të grumbulluara, por vetëm mbyllje e disa plagëve që janë hapur në të kaluarën. Për këtë, edhe një herë i bëj thirrje Ministrisë së Kulturës për më shumë zhdërvjelltësi për miratim më të shpejtë të Ligjit për Kulturë dhe përfundimisht nënshkrim të marrëveshjes kolektive”, tha Arsovska.

Zvezdan Georgievski, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve, tha se është e qartë që idealet e 1 Majit nuk janë përmbushur, pasi, siç u shpreh ai, për vite të tëra luftohet për të drejtat e njëjta.

“Është thjesht e pabesueshme që si gazetarë, akoma nuk kemi marrëveshje kolektive. Madje shteti shkon deri aty saqë praktikisht nuk kemi me kë të nënshkruajmë atë marrëveshje”, tha Georgievski.

Ai theksoi se shpreson që nuk do të pritet edhe shumë vite për realizimin e të drejtave të njëjta dhe që “1 Maji të jetë festë e punës, e jo protestë për të drejtat e punës”.

Mira Beqar nga Sindikata e Pavarur Akademike u shpreh e lumtur që u miratua Ligji i ri për Arsimin e lartë, por tha se është e zhgënjyer që një vit pas miratimit të ligjit, “asgjë nuk ka ndryshuar”.

Beqar tha se kërkojnë zbatimin e ligjit të ri, si dhe rritje progresive të rrogave, për çka edhe kanë ofruar model sipas të cilit do të rriteshin rrogat.

“Ne sërish marrim pjesë në të gjitha proceset dhe ofruam model për përllogaritjen e rrogave dhe presim që ministri Arbër Ademi të na paraqitet, pasi dhamë një afat prej dhjetë ditëve i cili skadon pas festave”, tha Beqar.

Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve është festë shtetërore në shumë vende të botës. Në Maqedoninë e Veriut nga viti 2007 si ditë jo pune është shpallur vetëm 1 maji, ndërsa deri në vitin 2006 ditë jo pune kanë qenë 1 dhe 2 maji.

Dita e Punëtorëve festohet në shenjë respekti ndaj viktimave nga greva që u mbajt nga 1 deri më 4 maj të vitit 1886 në Çikago, kur demonstruesit kërkuan vendosjen e orarit të punës ditore prej tetë orësh. Organizatorët e grevës u nxorën para gjykatës, ndërsa katër prej tyre u ekzekutuan.

Tre vjet më vonë pas ngjarjeve në Çikago, në Kongresin e parë të Internacionales së parë që u mbajt në Paris në vitin 1889, është vendosur që çdo vit më 1 maj, në kujtim të punonjësve të Çikagos, të mbahen demonstrata masive.