Shkup, panel mbi “Strukturat ekonomike të Perandorisë Osmane”

“Historia luftarake dhe politike e Perandorisë Osmane shpesh është aktuale dhe flitet rreth saj, por nuk flitet, diskutohet e as që aktualizohet deri në atë shkallë ana e saj ekonomike, e cila ka ndikuar në jetën e përditshme të njerëzve”, tha Kadi

Në kuadër të projektit “Trashëgimia e përbashkët osmane”, Drejtoria e komuniteteve turke dhe mike jashtë vendit (YTB) dhe Shoqata për edukim dhe mendim “Fettah Efendi” në Shkup organizuan panelin me temë “Struktura ekonomike e Perandorisë Osmane”, raporton Anadolu Agency (AA).

Folës në panelin e mbajtur në kampusin e Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik (IBU) në Shkup, i cili u ndoq nga shumë studentë, ishte profesori në Universitetin “Medeniyet” në Stamboll, İsmail Hakkı Kadı.

Ky panel është i treti me radhë në kuadër të projektit “Trashëgimia e përbashkët osmane”, me mbështetje të Shkollës Rinore Ballkanike, e cila ka për qëllim të kontribuojë në trajnimin e të rinjve të talentuar për të kontribuar në zhvillimin intelektual dhe shpirtëror të tyre.

Siç bëri të ditur për AA kreu i Shoqatës “Fettah Efendi”, Sevba Abdula, në dy panelet e para të ngjashme është biseduar për historinë shkencore dhe për atë të mendimit të osmanlinjve.

“Kësaj radhe do të ndalemi te struktura ekonomike dhe kulturore. Historia ekonomike osmane është një kthesë e rëndësishme për historinë botërore, veçanërisht në raport me domethënien e saj për Ballkanin”, theksoi Abdulla.

Nga ana tjetër, profesori nga Turqia, Kadı, për AA tha se gjatë kohës së panelit është biseduar për tema të ndryshme si praktikat e osmanlinjve të cilët ndikonin në jetën e përditshme të njerëzve, pikëpamjen e tyre kundrejt ekonomisë, si dhe raportet e tyre me jetën ekonomike,

“Historia luftarake dhe politike e Perandorisë Osmane shpesh është aktuale dhe flitet rreth saj, por nuk flitet, diskutohet e as që aktualizohet deri në atë shkallë ana e saj ekonomike, e cila ka ndikuar në jetën e përditshme të njerëzve”, theksoi Kadı.

Kadı gjithashtu theksoi se Perandoria Osmane në tre kontinente ka udhëhequr me njerëz nga gjuhë, fe dhe ngjyra të ndryshme. Ai shtoi se struktura ekonomike e osmanlinjve është vështirë të shpjegohet me termet dhe konceptet e tanishme ekonomike.

Sipas tij, në jetën e sotme ekonomike fillimisht ajo që bie në mend janë themelet si kapitalizmi dhe socializmi.

“Duke u nisur nga këto koncepte, është tejet e vështirë që të definohet, kuptohet dhe shpjegohet qëndrimi i osmanlinjve të cilët kanë pikëpamje unike. Para se gjithash, jetën ekonomike e kuptojnë si sferë ekzistuese për plotësimin e nevojave të njerëzve. Absolutisht, atë nuk e konsiderojnë si sferë ku do të vihet deri te pasurimi i disa palëve apo shtresave”, theksoi Kadı.