Shkup, fillon seanca për propozim ligjin e ratifikimit të marrëveshjes me Greqinë

Kuvendi i Maqedonisë sot filloi seancën ku në rend dite është propozim ligji për ratifikimin e marrëveshjes për zgjidhjen e kontestit për emrin

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot filloi seancën ku në rend dite është propozim ligji për ratifikimin e marrëveshjes për zgjidhjen e kontestit për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë dhe partnerit strategjik me procedurë të përshpejtuar, raporton Anadolu Agency (AA).

Në seancën e sotme, deputetët do të diskutojnë për nevojën e miratimit të ligjit për ratifikimin e marrëveshjes. Duke marrë parasysh se ligji është me flamur evropian dhe do të miratohet me procedurë të përshpejtuar, pritet që nëse sot pranohet nevoja për miratimin e tij, menjëherë të caktohet seancë e Komisionit për Çështje Evropiane.

Komisioni do të ketë dy ditë, respektivisht deri të mërkurën në mesnatë për shqyrtimin e marrëveshjes.

Ndërsa në Kuvendin e Maqedonisë po mbahet seanca, para ndërtesës së Kuvendit mbahen protesta, ku disa qytetarë shprehin pakënaqësinë e tyre për arritjen e e marrëveshjes për zgjidhjen e çështjes së emrit.

Marrëveshja për zgjidhjen e kontestit për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë u nënshkrua nga ministrat e Jashtëm të Maqedonisë dhe Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kotzias të dielën në Psarades, në anën greke të Liqenit të Prespës.

Në ceremoninë e nënshkrimit të pranishëm ishin edhe kryeministrat e Maqedonisë dhe Greqisë, Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras, ndërmjetësi i OKB-së, Matthew Nimetz, diplomatja amerikane në OKB, Rosemary Di Carlo, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini dhe Komisari për Politikë të Fqinjësisë dhe Negociatave për Zgjerim të BE-së, Johannes Hahn.