Shumë qytetarë, mbështetës të opozitës kanë bllokuar rrugën Lezhë-Shkodër për të penguar lëvizjen e automjeteve kur së fundmi pritet të vijë edhe kryeministri i vendit, Edi Rama.
Sot pritet të zhvillohet mitingu elektoral i qeverisë ku do marrë pjesë edhe kryeministri Edi Rama. Më herët u publikua një shkresë që Bashkia e Shkodres nuk kishte dhënë leje për zhvillimin e këtij takimi elektoral në pendoaneln e qytetit.
Protestuesit e shumtë janë në kryqëzimin e Dajçit dhe po përpiqen të mbajnë rrugën e bllokuar. Forca të shumta policie ndodhen në vendngjarje për të bërë të mundur lirimin e rrugës për kryeministrin i cili pritet të vijë nga momenti në moment.
Edi Rama ka zgjedhur Shkodrën si ndalesën e rradhës jo vetëm një kohë kur situata politike është tensionuar për shkak se PS po shkon e vetme në zgjedhjet lokale, por mbrëmë u arrestua edhe ish-deputeti i Partisë Demokratike i qytetit të Shkodrës, Bardh Spahia.
Ai u arrestua nga policia gjatë kohës kur ishte nisur për në emisionin ‘Open’ në Top Channel, pasi ishte shpallur në kërkim për djegien e materialeve zgjedhore në shkollën “Shejnaze Juka” në Shkodër.