Shkeljet me karburantin, ministrja Balluku: Jo vetëm gjoba, kompanitë do të mbyllen

Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku në një konferencë për shtyp foli për kontrollet e ushtruara lidhur me cilësinë e karburantit në vend. Ajo e konsideroi shqetësuese mungesën e kapaciteteve monitoruese.

Balluku theksoi se “lufta frontale kundër informalitetit cilësor do të vazhdojë çdo ditë”.

“Do vazhdojnë kontrollet në të gjitha subjektet që merren me hidrokarbure. Do merren masa të forta kundrejt atyre që shkelin ligjin, nuk ka tolerime”, tha ministrja.

Do jenë 130 inspektorë të rinj që do merren me luftën kundër informalitetit dhe Balluku theksoi se për subjektet që kapen në shkelje nuk do të ketë vetëm gjoba, por edhe mbyllje të aktivitetit të tyre.

“Nuk do ketë thjesht gjoba për subjektet që konstatohen me shkelje. Do të mbyllen ato subjekte që konstatohen me shkelje”, u shpreh Balluku.