Shifra rekord infektimesh në Europë, thirrje për vaksinim masiv

Franca është një nga shumë shtetet evropiane që raporton një rritje të lartë të të infektuarve me COVID dhe shkak është transmetueshmëria e lartë nga varianti Omicron. Në 24 orët e fundit në vend janë regjistruar 360 mijë raste të të prekurve.

Ministri i Shëndetësisë, Olive Veran, e cilëson një valë të re të pandemisë.

“Nuk kemi pasur shifra të tilla që nga nisja e krizës shëndetësore. Është një valë e re. Shifrat flasin qartë 22 mijë pacientë të shtruar në spital me COVID-19 dhe 3900 ndodhen në kujdes intesiv në reanimacion”, u shpreh ministri.

Italia po ashtu raporton një rritje rekord të të infektuarve, më shumë se 220 mijë të prekur, dyfishi i një dite më parë. Edhe pse infektimet janë më pas serioze sesa variantet e tjera, qytetarët e pavaksinuar janë më të rrezikuar.

Stafi mjekësor në spitalin në Kremona në veri të vendit u bën thirrje italianëve të vaksinohen.

“Vaksina është mjeti kryesor që ne kemi dhe që garanton se personat e infektuar do të kenë më pak dëme në shëndet. Ajo siguron më pak shtrime në spital dhe më pak të sëmurë në njësitë e kujdesit intensiv”, u shpreh Enrico Storti, drejtor i kujdesit intensiv në spitalin në Cremona.

Turqia është një tjetër shtet ku po regjistrohet një rritje e lartë e të infektuarve, më shumë se 74 mijë infektime të reja. Në dhjetor u raportua për 20 mijë të prekur.