“Kush është kundër Shengenit Rajonal nuk kupton asnjë gjë fare, nuk kupton nga çdo pozitë, nga pozita më nacionaliste deri te pozita më liberale”, – deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.
Kryeministri e renditi Shengenin Rajonal si një nga 7 prioritetet e qeverisë në 2 vitet e ardhshme.
“Një gjë është e sigurt Shengeni Rajonal, e para është një vizion dhe një këmbëngulje nga ana ime qysh në ditën e parë të procesit të Berlinit. Ka qenë i penguar deri para pak muajsh nga Presidenti i Serbisë, me të cilin unë kam bërë pafundësi debatesh e komunikimesh për këtë. Nuk mund të bëjmë dot një marrëveshje rajonale mbi tregtinë nëse nuk bëjmë një marrëveshje rajonale mbi lëvizjen e lirë të njerëzve. Domethënë që do bashkohet Shqipëria me Kosovën, do hapet kufiri, sepse marrëveshje e lëvizjes së lirë të njerëzve do të thotë që kufiri i sotëm mes Shqipërisë dhe Kosovës, që sa herë është thënë do të hapet dhe është aty akoma, të hapet”, – tha Rama, raporton ATA.
“Nuk po flas për të gjitha efektet e tjera dhe të mirat e tjera dhe pse kjo e forcon Kosovën dhe Shqipërinë, nuk e dobëson; e vendos Kosovën në një pozicion më të favorshëm edhe me Serbinë, nuk e dobëson; dhe se pse politika e mbylljes dhe politika e vetërrethimit është politikë vetëvrasëse për Kosovën”, – tha Rama.
Natyrisht, vijoi Kryeministri, “që gjëja më e lehtë është të bësh patriotin me pizhama, të rrish në shtëpi dhe të thuash me të poshtrit dhe armiqtë ne….”
“Por, historia nuk shkruhet duke ndenjur në shtëpi dhe duke bërë patriotin me pizhame. Sot ka plot që nuk e kuptojnë, do ta kuptojnë nesër. Ne nuk jemi zgjedhur për të ndjekur ata që nuk kuptojnë, ne jemi zgjedhur për të udhëhequr. Ne nuk jemi zgjedhur që çdo gjë që bëjmë t’i pëlqejë gjithmonë shumicës, ne jemi zgjedhur që edhe kur shumica nuk është dakord se nuk i pëlqen diçka, por ama ne e shohim, të udhëheqim drejt asaj që shohim”, – tha Rama.