Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, ka deklaruar se Ankaraja dhe Athina mund t’i zgjidhin problemet e tyre përmes negociatave dhe dialogut të ndërsjellë, raporton Anadolu Agency (AA).
“Ne besojmë se problemet mund të zgjidhen përmes negociatave dhe dialogut të ndërsjellë. Ne këmbëngulim në këtë qasje. Por, nga ana tjetër, të gjithë duhet ta dinë se ne nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë një fakt të kryer apo një situatë të padëshirueshme”, tha Akar në aktivitetin e ditës së vëzhguesve të dalluar të stërvitjes ‘Free Fire-2022’ në kryeqytetin Ankara.
Ai shtoi se Türkiye ndjek gjithmonë një politikë “të përgjegjshme, të kujdesshme dhe të durueshme” për të garantuar paqen dhe stabilitetin.
Duke kujtuar takimin e tij të javës së kaluar me ministrin grek të Mbrojtjes, Nikolaos Panagiotopoulos, në margjinat e një takimit të NATO-s në Bruksel, Akar tha se, “Ne atyre u shprehëm hapur ndjenjat dhe mendimet tona. Ne deklaruam se për një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe të përhershme, duhet të takohemi dhe të mbetemi në dialog. Ne deklaruam se në kuadër të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, këto probleme mund të zgjidhen brenda ligjit ndërkombëtar. Ne ende besojmë se problemet tona mund të zgjidhen duke biseduar dhe duke u takuar si dy fqinjë, dy aleatë dhe me dialog të sinqetë, pa përfshirë palët e treta lidhur me këtë”.
Akar shtoi se Türkiye nuk është kërcënim për askënd, përkundrazi është një aleat “i fuqishëm, i besueshëm dhe efektiv”.
Türkiye, një anëtare e NATO-s për më se 70 vite, është ankuar për veprimet e përsëritura provokuese dhe retorikën e Greqisë në rajon gjatë muajve të fundit, përfshirë armatimin e ishujve pranë brigjeve turke që janë çmilitarizuar sipas detyrimeve të traktatit, duke theksuar se lëvizje të tilla pengojnë përpjekjet e saj me mirëbesim drejt paqes.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, vazhdimisht e paralajmëron Greqinë për militarizimin e ishujve të Egjeut, në kundërshtim me traktatet e kahershme ndërkombëtare, duke theksuar se, “Ne mund të vijmë papritur një natë”, pa dhënë një afat kohor.