Qindra persona kanë protestuar në Washington dhe New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës pas akuzave për ngacmim seksuale drejtuar gjykatësit të Gjykatës së Apelit në Washington DC, Brett Kavanaugh, të cilin presidenti amerikan Donald Trump e ka nominuar për anëtar të Gjykatës Supreme, raporton Anadolu Agency (AA).
Qindra persona, shumica e të cilëve femra, protestuan para Trump Tower në New York.
Protestuesit kërkuan anulimin e nominimit të Kavanaugh në Gjykatën Supreme, duke bartur pankarta me mbishkrime si “Besojuni grave”, “Refuzojmë të heshtemi” dhe “Jo për Kavanaugh”.
Edhe protestuesit e mbledhur para Kongresit në Washington kërkuan shfuqizimin e nominimit të Kavanaugh.
Mbi 300 persona u arrestuan në protestë, mes të cilëve gjendet edhe aktorja Amy Schumer.
Akuzat ndaj Kavanaugh për ngacmim seksual u shfaqën pasi në muajin korrik ai u nominua nga Trump për t’u zgjedhur në anëtarësinë e Gjykatës Supreme.
Një nga personat që e ka akuzuar atë është Christine Blasey Ford, e cila në dëshminë e javës së kaluar para Komisionit të Drejtësisë, tha se ishte ngacmuar seksualisht nga Kavanaugh 36 vite më parë në një banket shkollor.
Pas seancës që zgjati katër orë, Kavanaugh pohoi se asnjëherë nuk ka kryer ngacmime seksuale nga Ford apo dikujt tjetër.
Krahas Ford, akuza ndaj tij për ngacmime seksuale kanë ngritur edhe dy gra të tjera.
Komiteti i Drejtësisë pranë Senatit Amerikan javën e kaluar miratoi nominimin e Kavanaugh.
Nëse ai merr pëlqim edhe nga Kongresi, emrat e nominuar nga presidentët republikanë do të vazhdojnë ta ruajnë epërsinë numerike në Gjykatën Supreme.