SHBA, vazhdojnë kritikat ndaj Trumpit lidhur me vrasjen e Khashoggit

"Presidenti ynë edhe një herë vërtetoi se busulla morale nuk mund të blihet. Ndërsa në anën tjetër, Arabia Saudite vërteton se mund të blihet një president", tha Omar

Kongresistja e parë muslimane me shami, e zgjedhur në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-ve, Ilhan Omar, ka kritikuar presidentin amerikan Donald Trump për qëndrimin e tij në lidhje me vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një postim nga llogaria e saj në Twitter, Omar ka kritikuar Trumpin, duke theksuar se, “Presidenti ynë edhe një herë vërtetoi se busulla morale nuk mund të blihet. Ndërsa në anën tjetër, Arabia Saudite vërteton se mund të blihet një president”.

Thirrje që “të ndërhyjë Kongresi”

Ish-kreu i Agjencisë Qendrore Amerikane të Inteligjencës (CIA), John Brennan, ka reaguar në lidhje me qëndrimin e qeverisë amerikane për çështjen e Jamal Khashoggit.

“Kongresi duhet të kërkojë një mbledhje të mbyllur në lidhje me informacionet që CIA ka për çështjen e Khashoggit”, tha Brennan.

“Meqenëse Trump ka shkuar përtej kufijve të mashtrimit, Kongresi duhet të kërkojë një mbledhje të mbyllur në lidhje me atë që CIA di për Khashoggin. Në Arabinë Saudite askush nuk duhet të shpëtojë pa dhënë llogari për këtë ngjarje të pabesë sidomos Princi i Kurorës (Muhammed bin Selman)”, ka thënë Brennan duke vendosur në objektiv presidentin Trump.

Trump në një deklaratë më parë tha se marrëdhëniet me Arabinë Saudite do të vazhdojnë.