Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) i kanë vendosur sanksione bankës më të madhe në Venezuelë, në hakmarrje për arrestimin e ndihmësit të lartë të liderit të opozitës, Juan Guaido, të cilin Washingtoni e njeh si president të vendit, raporton Anadolu Agency (AA).
Departamenti amerikan i Thesarit, bën të ditur se sansksionet mbi bankën më të madhe në Venezuelë, “Banco de Desarrollo Economico y Social de Venezuela”, ose BANDES, gjithashtu përfshin edhe katër filialet e saj.
“Ithtarët e regjimit kanë transformuar BANDES dhe filialet e saj në mjete për të transferuar fonde jashtë vendit, në një përpjekje për të përkrahur Maduron”, tha sekretari i Thesarit, Stiven Mnuchin.
Ai shtoi se Maduro dhe njerëzit e tij kanë shtrembëruar qëllimin origjinal të bankës, e cila u themelua për mirëqenie ekonomike dhe sociale të popullit të Venezuelës dhe në vend të kësaj e kanë shndërruar në një vegël për të mbajtur pushtetin.
Përmes një postimi në Twitter, Guaido përshëndeti sanksionet.
Duke iu referuar arrestimit të ndihmësit të tij të lartë nga qeveria venezueliane, Guaido tha se nuk do t’u lejojë “të vazhdojnë të vjedhin pasuritë tona për të financuar rrëmbimin e vëllezërve tanë”.
Sanksionet e fundit amerikane kanë të bëjnë me arrestimin e Roberto Marreros, shefi i stafit të Guaidos, i cili u arrestua të enjten me akuzat për terrorizëm.
Venezuela është kapluar nga një krizë politike që daton nga protestat e 10 janarit, kur Nicolas Maduro u betua për një mandat të dytë, pas një votimi të bojkotuar nga opozita.
Tensionet u rritën më 23 janar kur kreu i opozitës, Juan Guaido, u shpall president i përkohshëm, veprim i cili u mbështet nga SHBA-të dhe shumë vende të Evropës dhe Amerikës Latine.
Turqia, Rusia, Kina, Irani, Bolivia dhe Meksika kanë kaluar mbështetjen e tyre për presidentin Maduro.