Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë shprehur kënaqësinë me rezultatin e referendumit të zbatuar dje në Maqedoni dhe porositën se presin implementimin e plotë të marrëveshjes greko-maqedonase të Prespës, raporton Anadolu Agency (AA).
Departamenti amerikan i Shtetit përshëndeti mbështetjen që qytetarët e Maqedonisë e shprehën në referendumin për pranimin e marrëveshjes me Greqinë dhe hapjen e derës për hyrjen e Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe NATO.
“SHBA-të fuqishëm mbështesin implementimin e marrëveshjes greko-maqedonase, me çka Maqedonia me meritë do të jetë pjesë e BE-së dhe NATO-s, ndërsa me këtë do të sjellë stabilitet dhe siguri në mbarë rajonin”, theksohet në njoftimin e Departamentit të Shtetit.
Washingtoni zyrtar po ashtu i porositi liderët e partive politike që gjatë procedurave parlamentare të miratimit të marrëveshjes me Greqinë të tregojnë qëndrime shtetërore, e jo partiake.
“U bëjmë thirrje liderëve politik që mirë të shqyrtojnë këtë rast historik i cili u ofrohet për anëtarësimin e vendit në institucionet euroatlantike”, porositet nga Washingtoni.
Sipas rezultateve të para të Komisionit Shtetëror Zgjedhor në referendumin e djeshëm konsultativ për ndryshimin e emrit të vendit dhe anëtarësimin në NATO dhe BE kanë dalë 36.87 për qind, prej të cilëve 91.48 për qind ose 605.016 vota e qytetarëve votuan “për”.