SHBA-të korrigjojnë parashikimin e çmimit të naftës për vitin 2018

Çmimet e naftës së papërpunuar u rritën si pasojë e pritjes për rënie drastike të prodhimit dhe eksportit të naftës së papërpunuar iraniane

Administrata amerikane për energjinë (EIA) parashikon që çmimi mesatar i naftës së papërpunuar Brent, në vitin 2018 do të jetë për 37 për qind më i lartë nga viti paraprak, raporton Anadolu Agency (AA).

Në raportin e saj afatshkurtër të publikuar së fundmi, EIA vlerëson se çmimi i naftës Brent do të lëviz në një mesatare prej 74 dollarë për fuçi, që është një rritje me 20 dollarë nga mesatarja prej 54 dollarë sa ishte në vitin 2017. Parashikimi i EIA-së është që mesatarja e vitit 2019 të jetë 75 dollarë për fuçi.

Raporti në fjalë thekson se marka amerikane e naftës së papërpunuar West Texas Intermediate (WTI) do të lëvizë në një mesatare prej 68 dollarë për fuçi, që është me 17 dollarë më shumë nga 51 dollarë për fuçi sa ishte vitin e kaluar.

“Çmimet e naftës së papërpunuar u rritën si pasojë e pritjes për rënie drastike të prodhimit dhe eksportit të naftës së papërpunuar iraniane, si rezultat të rivendosjes së sanksioneve nga SHBA-të më 4 nëntor”, thuhet në raport.